Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, lansoi dje në Fushë Kosovë, kampanjën “Ec me ne”, e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.
Në kuadër të kësaj kampanje do të zhvillohen aktivitete të shumta në bashkëpunim me 15 komuna për një javë rresht, duke filluar nga dje e deri më datë 22 Shtator.
Simbolika kryesore e kësaj kampanje është përdorimi i biçikletave dhe transportit publik në mënyrë që të përdoren më pak automjetet. Qytetarë të shumtë të Fushë Kosovës ju bashkuan kësaj iniciative, por ishin nxënësit e Gjimnazit “Hyvzi Sylejmani”, të cilën e bënë edhe më madhështore këtë ceremoni.
Për të gjithë ata që ju bashkuan këtij aktiviteti, MMPH, ju ndau materiale promovuese, si maica, informator rreth fushatës e materiale të tjera, të cilat po ashtu kanë qëllim përcjelljen e mesazhit të fushatës “Ec me ne”.
Zymer Mrasori, udhëheqës i divizionit të informimit në MMPH dhe njëkohësisht udhëheqës i kampanjës, me këtë rast vlerësoi se duke u bërë pjesë e kësaj kampanje ne kontribuojmë në shëndetin tonë dhe mbrojtjen e mjedisit. “Andaj ju bëjmë thirrje qytetareve që të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve, veçanërisht në aktivitetin kryesor të kampanjës që organizohet të dielën në Suharekë”, u shpreh Mrasori.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe zyrtarët e Komunës së Fushë Kosovës të cilët ishin shumë falënderues ndaj MMPH-së për këtë iniciativë dhe po ashtu u zotuan se edhe në të ardhmen nuk do të mungojnë aktivitete të tilla që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për një mjedis sa më të pastër.