2109 - Single_page | MMPH

Lajmet

Komunikatë për Media

Komunikatë për Media
Prishtinë, 31 January -

31 janar 2020

Prishtinë

 

Komunikatë për Media

 

Reagim lidhur me Kallëzimin Penal të bërë nga një grup i Organizatave Joqeveritare në

Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj Institucionit të MMPH-së

 

MMPH njofton se të gjitha vendimet që merren në kuadër të fushëveprimit dhe kompetencave të përcaktuara, janë të bazuara në kornizën ligjore të Republikës së Kosovës, dhe kontestimi i tyre mund të bëhet vetëm përmes procedurave ligjore pranë organeve kompetente, që në rastin konkret janë gjykatat administrative të vendit, të cilat janë të thirrura të sjellin vendime përfundimtare në raport me vlefshmërinë e vendimeve të institucioneve qendrore – në këtë rast MMPH-së, dhe asesi nga grupe të caktuara të interesit dhe OJQ-ve.

 

Veprimet e tilla i vlerësojmë si presion ndaj zyrtarëve publik të cilët përkundër situatës dhe paqartësive politike, janë ndër shtyllat kryesore të funksionimit të Republikës së Kosovës, deri sa përgjegjësitë e tyre janë të përcaktuara me ligj. Andaj, më tutje vlerësojmë se përqendrimi dhe lakimi i emrave të përveçëm nga grupe të tilla jo-qeveritare kanë për qëllim linçimin publik të po këtyre zyrtarëve dhe zhvendosjen e vëmendjes së opinionit, duke orientuar padrejtësisht, pakënaqësitë publike ndaj problemeve të ndërlidhura me ndërtimet në Liqenin e Badovcit nga Komuna në MMPH. Për ne si institucion si dhe për gjithë personelin e MMPH-së, veprime të tilla janë të papranueshme, madje edhe fyese.

 

Ashtu siç kemi dëshmuar në vazhdimësi, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është institucion që vepron në mënyrë transparente, sipas kompetencave të përcaktuara me ligj. Në rastin specifik për ndërtimet në zonën afër Liqenit të Badovcit, ne i kemi ofruar qasje të plotë të interesuarëve dhe përfaqësueseve të mediave në të gjitha dokumentet që ndërlidhen me këtë rast dhe qasje të njëjtë do të kemi edhe me organet e drejtësisë, me qëllim të argumentimit të ligjshmërisë së vendimeve tona.

 

Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se MMPH është e përkushtuar të zbatojë në përpikëri ligjin në mbrojtje të të gjitha rezervave ujore në Kosovë, dhe me theks të veçantë të Liqenit të Badovcit, dhe që në asnjë rast nuk do të lejojë shkeljen e këtij ligji nga ndërtimet eventuale nga kushdo qoftë.

 

Për më shumë, dëshirojmë të ju njoftojmë se presioni publik dhe linçimi ndaj zyrtarëve publik, të cilët veprojnë në përputhje të plotë me kornizën ligjore në Republikën e Kosovës, pavarësisht interesave të grupeve të caktuara, asesi nuk do të na ndalojnë së vepruari në pajtim me ligjin dhe nuk do të na dekurajojnë në përkushtimin tonë në mbrojtje të interesit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

 

Përfundimisht, dëshirojmë të ritheksojmë se MMPH mirëpret të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë edhe organizatat në fjalë, duke ofruar qasje në të gjitha dokumentet dhe vendimet në lidhje me projektin specifik, me qëllim të sqarimit të gjitha detajeve.

 

Marrë parasysh sfidat mjedisore të viteve në vijim, vetëm me bashkëpunim të mirëfilltë dhe me komunikim të drejtë, bashkë mund të sjellim rezultate edhe më të mira, gjithmonë në pajtim me interesin e përgjithshëm publik dhe kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.

Foto Galeria

Kthehu