2468 - Single_page | MMPH

Lajmet

Sqarim për lejet e lëshuara për kompaninë “Kelkos Energy”

Sqarim për lejet e lëshuara …
Prishtinë, 12 November -

Prishtinë, 12 Nëntor 2020

Pas transmetimit të lajmeve në medie rreth lëshimit të lejeve mjedisore për kompaninë “Kelkos Energy”, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit lëshon këtë sqarim për publikun, me qëllim për të qartësuar se cilat leje mjedisore janë lëshuar dhe për cilat hidrocentrale.

Duhet sqaruar që ministri Blerim Kuçi, sot në mëngjes nuk e ka pasur informacionin e plotë për këtë çështje, pa çka edhe ka deklaruar se sipas informacionit që disponon, nuk është lëshuar ndonjë leje.

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, procesi për pajisje edhe me leje mjedisore nuk e implikon ministrin direkt në proces, pasi rruga administrative e këtyre dokumenteve zhvillohet mes departamenteve dhe Komisionit për Leje Mjedisore, duke përfunduar si proces në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë.

Më poshtë keni një sqarim nga Komisioni për Leje Mjedisore që tregon për procesin që është kaluar për t’u lëshuar dy leje mjedisore për kompaninë. Këtu bëhet e qartë se kompania ka dështuar të marrë edhe lejen e tretë mjedisore, pasi komisioni ka konstatuar që ende nuk janë përmbushur kushtet.

Sqarimi i plotë i procesit:

“Kompania ‘Kelkos Energy’, kërkesës për Leje Mjedisore i ka bashkangjitur Pëlqimin Mjedisor për të tri Hidrocentralet.

Kërkesës për Leje Mjedisore i ka bashkangjitur aplikacionet të ndara për të tri Hidrocentralet veç e veç, po ashtu taksa për Leje Mjedisore është kryer për të tri Hidrocentralet veç e veç.

Kompania ka bashkangjitur Lejet e Përdorimi për “HC– Belaja” dhe “HC– Deçani”, Certifikatën e legalizimit për ndërtimin e tubacionit, veprës së marrjes dhe kabllove elektrike, po ashtu Lejen ujore për “HC– Belaja” dhe “HC– Deçani”, për aprovimin e plotësimit të kushteve ujore, të parapara me lejet ujore paraprake, i ka për secilën veç e veç.

Për Hidrocentralet HC “Belaja” dhe HC “Deçani”,  kompania ka arritur të sjell të gjithë dokumentacionin që kërkohet në përputhje me Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore 07/2017, ndërsa sa i përket HC- “Lumëbardhi II”, kompania nuk ka arritur të i përmbush kriteret sipas Udhëzimit Administrativ për Leje Mjedisore 07/2017, për arsye se nuk ka arritur të pajiset me Lejet e shfrytëzimit të ujit dhe Lejet përdorimit të ujit.

Gjithashtu komisioni për Leje Mjedisore, gjatë realizimit të vizitës në terren ka konstatuar së është bërë rehabilitimi i zonës ku janë zhvilluar punimet të HC “Belaja” dhe HC “Deçani, ndërsa të HC “Lumëbardhi II” nuk është bërë rehabilitimi i zonës ku janë zhvilluar punime, për ketë arsye ka mbetur në fuqi përgjigja e datës: 12.10.2020”.

Foto Galeria

Kthehu