331 - Departamentet | MMPH

Plani Hapësinor i Zonës me Interes të Veçantë “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës Kleçkë dhe Divjakë” – është dokumenti i parë hapësinor që trajton temën e luftës dhe sakrificën e popullit tonë për liri.

Pa dyshim se një projekt i tillë ka qenë shumë sfidues për të gjithë ne – për Qeverinë që kanë bërë shpalljen e zonës me interes të veçantë, për Ministrinë tonë që ka qenë bartëse e procesit për hartimin e dokumentit, ashtu dhe për Institutin për Planifikim Hapësinor si hartues të dokumentit.

Hapësira për të cilën kemi hartuar planin hapësinor është e njohur padyshim për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është e njohur për aktivitetet që janë zhvilluar gjatë luftës së fundit, për sakrificën e popullit të kësaj ane, që edhe përkundër varfërisë së tyre të madhe – kanë ofruar ndihmë dhe strehim për ushtarët e UÇK-së dhe për popullatën e shpërngulur nga trevat tjera të Kosovës.

Kjo zonë ishte gjithashtu selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe Malet e Berishës ishin vendi ku nisën rreshtimet ushtarake dhe trajnimet e para për ofensivat kundër okupatorit. U caktuan veprimet e ushtrisë më të re në botë, u organizuan paraqitjet e para publike të përfaqësuesve të ushtrisë dhe u mbajtën takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të komunitetit të atëhershëm ndërkombëtar.

Zhvillimet e ofruara në dokument garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Gjithëpërfshirja, zhvillimi i baraspeshuar dhe i qëndrueshëm, promovimi i transparencës së plotë në planifikim, janë disa nga parimet që dëshmojnë se dokumenti është në përputhje me standardet kryesore që dalin nga ligjet e vendit dhe rregulloret evropiane.

Dokumenti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 06.04.2012.