334 - Departamentet | MMPH

Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” – Zona në fjalë është njëra nga pasuritë më të çmuara natyrore që ka Kosova, vlerat e të cilit duke përfshirë llojllojshmërinë biologjike dhe peisazhore i tejkalojnë kufijtë e vendit tonë. Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së kësaj bukurie dhe trashëgimie natyrore, kemi ofruar para jush dokumentin e planit hapësinor, në të cilin janë dhënë orientimet themelore në drejtim të mbrojtjes dhe shfrytëzimit racional të Parkut. Jemi të sigurt se rekomandimet dhe zhvillimet e propozuara do të ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e kësaj zone, duke e bërë të mundur përjetimin e saj nga ne dhe nga gjeneratat që do të vijnë pas.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor, ka përfunduar procesin e hartimit të Planit Hapësinor të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Një proces transparent, gjatë të cilit janë organizuar një mori takimesh me pjesëmarrës të fushave, profesioneve dhe strukturave të ndryshme. Bashkëpunim i rëndësishëm është realizuar në takimet me Grupin Punues Ndërministror, si dhe me anëtarë të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës. Pjesë e veçantë e kësaj pune kanë qenë takimet me autoritetet e komunave pjesëmarrëse dhe komunitetin që jeton në brendinë e Parkut. Kontributi i të gjithëve ka qenë shumë i vlefshëm, janë mbledhë informata të shumta, janë marrë sugjerime dhe vërejtje të rëndësishme, me ndihmën e të cilave kemi arritur të përfundojmë këtë dokument shumë të rëndësishëm për Parkun tonë Kombëtar.

Aktualisht dokumenti është në procedurë për aprovim në Qeverinë e Kosovës.