1128 - Galeria_single | MMPH

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka nënshkruar Memorandume të Bashkëpunimit me kryetarin e Komunës së  Pejës, Gazmend Muhaxhiri, kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, kryetarin e  Rahovecit, Smajl Latifi dhe kryetarin e Shtimes, Naim Ismajli si dhe kryeshefin e KRU “Hidromorava”- Gjilan, Muhamed Suliqi, për realizimin e projekteve në vlerë prej 1.5 milion euro. 

Ministri Matoshi tha se këto projekte tregojnë përkrahjen e MMPH-së ndaj Komunave të Republikës së Kosovës në fushën e mjedisit.

“ Të gjitha këto projekte janë edhe një hap më shumë në angazhimin tonë të përbashkët për përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe ngritjen e mirëqenies së qytetareve të vendit. Besoj që këto projekte do të realizohen me kohë dhe do të kenë një menaxhim efikas nga komunat përkatëse”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi, kërkoi nga kryetarët e komunave një angazhim më të madh në mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin efikas të këtyre projekteve,  mirëmbajtjen e zonave të gjelbra, mbrojtjen e lumenjve nga ndotja, dhe krahas kësaj të vetëdijësojnë qytetaret për mbrojtjen e mjedisit edhe përmes aplikimit të gjobave mandatore.

Ministri Matoshi po ashtu kërkoi nga kryetarë angazhim edhe në zbatimin e Udhëzimeve Administrative që dalin nga Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Gjatë kësaj ceremonie, ministri Matoshi tregoi se me komunën e Gjakovës ka nënshkruar marrëveshje për projektin “Rregullimi i shtratit të lumit Krena” në vlerë 200 mijë euro për vitin buxhetor 2019 dhe së shpejti do të investojë edhe me projektin “Rregullimi i shtratit të Lumit Erenik”, në vlerë prej 17 mijë euro.

“Me komunën e Pejës nënshkruam memorandume për projektet “Ndërtimi i Murit mbrojtës të Lumbardhit në Pejë”, në vlerë prej 300 mijë euro  dhe “Ndërtimi i Ujësjellësit për fshatrat e Lugut të Baranit”, në vlerë prej 100 mijë euro. Në këtë komunë së shpejti do të investojmë edhe në projektin “ Kanalizimi i ujërave të zeza në fshatin Novo Sellë”, në vlerë prej 800 mijë euro” deklaroi Ministri Matoshi.

“Memorandum Bashkëpunimi është nënshkruar edhe me komunën e Rahovecit për projektin “Rregullimi i shtretërve të lumenjve në fshatrat, Hoqë e Madhe, Brestoc,  Nagavc, Krushë e Madhe, -Rahovec”, në vlerë prej 150 mijë euro.

Ndërsa me komunën e Shtimes është nënshkruar projekti “Zgjerimi dhe pastrimi i lumit Carralevë–Shtime dhe Mollopolc, Petrovë-Shtime- Vojnovc”, në  vlerë prej 81 mijë euro.  Në këtë komunë së shpejti do të investohet edhe në projektin “ Rregullimi i Parkut, Sheshit dhe Qytetit në Shtime”, në vlerë prej 120 mijë euro, tha Ministri Matoshi.

Ministri Matoshi ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi edhe me KRU “Hidromorava” në Gjilan,  për projektin  “ Ndërtimi i kanalizimit në shtratin e Lumit në Dobërçan”, vlera totale 550 mijë euro. Me komunën e Gjilanit, ministri Matoshi së shpejti do të nënshkruaj edhe projektin “Krijimi i zonave të gjelbra” në vlerë prej 550 mijë euro.

Kryetarët e Komunave kanë falënderuar ministrin Matoshi për mbështetje në projektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe mjedisit.​