1313 - Galeria_single | MMPH

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për financimin e projektit “Krijimi i zonave të gjelbra në Gjilan”, në vlerë prej 550 mijë euro.

Ministri Matoshi tha se komuna e Gjilanit ka trashëguar shumë probleme në fushën e mjedisit andaj sipas tij përmes investimeve kapitale kjo komunë do të arrij një zhvillim të qëndrueshëm.

“ Me këtë projekt Gjilani do të merr një pamje te re, një cilësi më të mirë të ajrit dhe mjedisit në përgjithësi. Angazhimi jonë i përbashkët mbetet që përmes projekteve të krijojmë një qytet ekologjik që do të jete shembull dhe për komunat tjera”, deklaroi Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi, ka treguar që këtë vit në Gjilan po fillohet së realizuar 5 projekte që në total kapin vlerën prej 1 milion e gjysmë euro.

“ Projektet që i kemi filluar në Gjilan janë: Krijimi i zonave të gjelbra në Gjilan në vlerë prej 550 mijë euro; Vazhdimi i punimeve në Lumin Mirusha në vlerë prej 250 mijë euro; Ndërtimi i kanalizimit në shtratin e lumit në Dobërçan në vlerë prej 550 mijë euro dhe Pastrimi i shtretërve të lumenjve Morava dhe Stanishorka në vlerë prej 100 mijë euro si dhe projektin ‘Ta pastrojmë Kosovën’ në vlerë prej 100 mijë euro”, tha ministri Matoshi.

Ministri Matoshi kërkoi edhe nga Qeveria e Kosovës, që të ndihmojë Komunën e Gjilanit të tejkaloj krizën aktuale të mungesë së ujit të pijshëm.

“ Me kryetarin Haziri kemi diskutuar edhe për problemin e ujit të pijshëm.  Jam i përkushtuar si ministër që komunës së Gjilanit t’i ofrojmë mbështetje të plotë që ta tejkalojmë krizën e ujit të pijshëm. Po ashtu i bëjmë me dije edhe Qeverisë edhe dikastereve tjera të qeverisë, se duhet të përfillet në mënyrë urgjente kërkesa e Komunës së Gjilanit, dhe MMPH-ja është e gatshme të jap mbështetje për ta kaluar krizën e madhe të ujit”, tha Matoshi.

Gjatë konferencës, ministri Matoshi përmendi edhe projektin më të madh për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan, të cilin e vlerësoi të domosdoshëm për këtë komunë.

Ndërsa kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se projekti “Krijimi i zonave të gjelbra në Gjilan” është i domosdoshëm për qytetarët e kësaj komune.

“ Ky projekt krijon mundësinë  e krijimit të hapësirave të gjelbra, minimizim të përdorimit të veturave në qytet, ndërtimin e shëtitoreve për lëvizje dhe rekreacion. Në këtë projekt, Gjilani do ta ndërtoj edhe parkun që i dedikohet personave me aftësi të veçanta që do ta kenë ambientin e tyre jo vetëm për qëndrim por edhe rekreacion”, tha Haziri.

Kryetari Haziri, falënderoi ministrin Matoshi për mbështetje të projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e mjedisit në Komunën e Gjilanit.​