1502 - Galeria_single | MMPH

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, lansoi sot kampanjën informuese për legalizimin e ndërtimeve pa leje, ku morën pjesë përfaqësues nga Komunat të Republikës së Kosovës dhe personalitete tjera vendore dhe ndërkombëtare.

Në këtë takim kryetarët dhe drejtorët e komunave u njoftuan mbi procesin e legalizimit dhe procedurave administrative që duhet të ndiqen që nga aplikimi e deri tek legalizimi i objekteve, konform Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje si dhe Udhëzimeve Administrative që dalin nga ky ligj.

Me këtë rast Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi,  tha se pas një pune të mirë dhe të gjatë sot po fillojmë fushatën promovuese për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Ministri  Matoshi, po ashtu bëri thirrje që të gjithë ta mbështesin këtë fushatë në tërë Kosovën në mënyrë që të krijohen kushte dhe hapësirë që të legalizohen ndërtimet.

“Të nderuar kryetarë,  MMPH në vazhdimësi është duke ju përkrahur me projekte të ndryshme në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, bashkëpunimi jonë në adresimin e problemeve mjedisore sigurisht që është qelësi i sukseseve të përbashkëta, andaj kërkoj nga ju që të jeni më aktiv dhe të keni prioritet mjedisin dhe trajtimin e ndërtimeve pa leje sepse është koha e fundit që ne të zgjidhim një nga problemet më të mëdha që kemi trashëguar me vite” deklaroi Ministri Matoshi.

Sa i përket mënyrës së aplikimit për legalizimin e ndërtimeve, sqaroi udhëheqësi i departamentit për Planifikim Hapësinor z. Servet Spahiu, i cili ndër tjerash tha “Legalizimi është proces kompleks dhe për të pasur  sukses të plotë duhet të trajtohet me prioritet nacional dhe të ketë  veprime direkte. Gjithashtu për të arritur sukses duhet të ketë bashkëpunim të mirë me ministritë e linjës, agjencitë etj”.

Përfaqësuesit e MMPH-së bën te ditur se që nga data 10 Shtator do të organizohen 6 punëtori në nivel rajonal, për udhëzimin fillestar të komunave lidhur me procesin e legalizimit.