1516 - Galeria_single | MMPH

Në Mitrovicë u mbajt punëtoria e radhës e cila kishte për qëllim prezantimin e Udhëzimeve Administrative të dala nga Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje dhe mbështetjen e komunave në zbatimin e procedurave për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Kjo ishte punëtoria e tretë nga gjithsej gjashtë të planifikuara që organizohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), përkatësisht Departamenti për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim (DPHNB), në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Qeverisje Ekonomike në Kosovë e që do të mbulojnë të gjitha komunat e Kosovës.

Në këtë punëtori morën pjesë zyrtarë të urbanizmit, inspektoratit dhe kadastrit nga komunat e pjesës veriore të Kosovës, pra rëndësinë e këtij debati e shton edhe pjesëmarrja e të gjitha komunave veriore të Kosovës përfshirë edhe ato të komunitetit serbë, siç janë Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica veriore dhe ajo jugore Skenderaj dhe Vushtrria.

Zyrtarët e DPHNB fillimisht shpjeguan aktivitetet në të cilat është angazhuar DPHNB dhe që kanë për qëllim lehtësimin e zbatimit të procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje, duke përfshirë aktivitetet e koordinimit me institucionet tjera si dhe aktivitetet tjera që janë duke u udhëhequr nga DPHNB, sikurse përgatitja e udhëzuesve të detajuar për procesin e trajtimit të ndërtimeve pa leje. Gjithashtu u prezantuan edhe procedurat e detajuara për trajtimin e kategorive të ndryshme të ndërtimeve pa leje.

Përfaqësuesit e Programit të USAID-it për Qeverisjen Ekonomike në Kosovë, paraqiten skemat grafike të përgatitura nga ky program në bashkëpunim me DPHNB dhe që shpjegojnë fazat e ndryshme procedurale në mënyrë grafike.

Pas përfundimit të prezantimeve u zhvilluan diskutime ndërmjet zyrtarëve komunal të pranishëm dhe zyrtarëve të DPHNB. Me këtë rast zyrtarët e DPHNB ofruan sqarime lidhur me shqetësimet e ngritura nga zyrtarët komunal për procedurat e legalizimit si dhe problemet me pronat. Ndër të tjera u theksua se DPHNB do ti mbledhë të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e ngritura gjatë punëtorive ku do të bëjë përpjekje maksimale për adresimin e këtyre çështjeve në udhëzuesit të cilët janë në përgatitje e sipër.

Punëtoria e radhës mbahet me 17 shtator në Prizren për të vazhduar edhe me dy rajone të tjera.