1768 - Galeria_single | MMPH

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, në një takim që ka pasur me kryetarin e komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 100 mijë euro, si shpërblim që kjo komunë ka marrë nga fushata “Ta pastrojmë Kosovën”. 

Në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi Ministri Matoshi deklaroi se ky grant prej 100 mijë euro është shpërblim për angazhimin e Komunës së Vitisë dhe qytetarëve të kësaj komune në pastrimin e mjedisit, largimin e deponive ilegale të mbeturinave si dhe krijimin e hapësirave të reja të gjelberta e mirëmbajtjen e atyre ekzistuese. 

“Komuna e Vitisë ka pasur një angazhim të mirë në mbrojtjen dhe krijimin e një mjedisit të pastër dhe ne si Ministri kemi përkrahur këtë komunë edhe këtë vit me projekte mjedisore dhe kjo përkrahje duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Matoshi. 

Nga ana tjetër kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka falënderuar Ministrin Matoshi për mbështetjen që Ministria që ai udhëheq i ka dhënë Komunës së Vitisë gjatë këtij mandati qeverisës si dhe për grantin që kjo komunë ka fituar në kuadër të aksionit për pastrimin e Kosovës.