1776 - Galeria_single | MMPH

Pas rrjedhjes së  informacioneve të gabuara në medie, duke aluduar që JICA Japoneze ka investuar 4  milionë euro për monitorët që tregojnë nivelin e ndotjes së ajrit në rajonin e Prishtinës, MMPH për hirë të korrektësisë dhe informimit të drejtë të opinionit, sqaron se  monitorët e vendosur janë pjesë e një komponenti  nga 8 komponentë  sa i ka projekti në fjalë.

 

Më poshtë gjeni një sqarim të detajuar  rreth fazave të zhvillimit të projektit  në fjalë:

 

 

Projekti “Zhvillimi i Kapaciteteve Kontrollin e Ndotjes së Ajrit në Republikën e Kosovës”, është mbështetur nga Agjencioni  Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), i cili ka filluar me zbatim në tetor 2017 dhe vazhdon deri në vitin 2020. Projekti në fjalë ka vlerën prej 4 milion euro.

Me këtë projekt përveç ngritjes së kapaciteteve njerëzore janë sjellë  pajisje për laboratorët e IHMK-së, janë funksionalizuar aparatura për analiza laboratorike, janë sjellë pajisje për matjen e emisioneve, është bërë rehabilitimi i 5 stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit për regjionin e Prishtinës, janë bërë matjet e emisioneve në TC “Kosova A dhe  TCB dhe në industri tjera të mëdha.   Është përgatitur inventari i emisioneve në ajër, për të cilin janë bërë hulumtimet në teren për amvisëri, shërbime publike e private, industri dhe trafik.

Në kuadër të këtij  projekt janë instaluar  monitor në 4 lokacione për paraqitjen e gjendjes se cilësisë së ajrit në qytetin e Prishtinës, ku qytetarët  do të kenë mundësi të përcjellin gjendjen e cilësisë së ajrit. Vitin e ardhshëm planifikohet vendosja e një monitori të tille edhe në komunën e Obiliqit.

Po ashtu është bërë edhe vlerësimi i gjendjes së kaldajave dhe elektrofiltrave në TC Kosova A dhe mundësia e ngritjes së performancës së elektrofiltrave në TC Kosova A.

Janë bërë hulumtimet dhe është bërë vlerësimi preliminar i rezultateve te matjeve për periudhën 1 mujore gjate sezonit të dimrit, ku është vlerësuar se burimi më i madh i emisioneve në ajër është KEK-u, mirëpo rezultatet e modelimit preliminar të simulimit tregojnë se amvisëritë janë ndotës të mëdhenj për sa i përket kontributit në përqendrim të ndotësve të ajrit  ne nivel të tokës.

Bazuar në të dhënat e hulumtimit është duke u bërë simulim- modelimi për  zonën e Prishtinës, për periudhën një vjeçare, i cili do të jap rezultatet e vlerësimit të cilësisë së ajrit për kontributin e secilit burim  në ndotjen e ajrit.

Pas mbledhjes së të dhënave të reja të nevojshme ekspertët e JICA-s së bashku me ekipin e Ministrisë do të  bëjnë vlerësimin më të detajuar të kontributit të burimeve të ndotjes së ajrit.

Në bazë të rezultateve do të bëhet rishikimi i dokumenteve strategjike të Qeverisë, përmes të cilave do të përcaktohen masat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjate për zvogëlimin e ndotjes së ajrit.