1779 - Galeria_single | MMPH

Kohëve të fundit në adresën e MMPH-së kanë ardhur shumë pyetje nga mediet e vendit lidhur me çështjen e hidrocentraleve, ku tash së fundi është ngritur edhe shqetësimi nga qytetarët e  organizata jo-qeveritare, në lidhje me mundësitë e fillimit të ndërtimit të hidrocentraleve të reja  në pjesë të ndryshme të Kosovës.

MMPH përmes këtij njoftimi sqaron opinionin publik rreth situatës faktike që ekziston sa i përket çështjes së hidrocentraleve.

Së pari ju njoftojmë se MMPH që nga viti 2016 nuk ka proceduar me shqyrtimin e asnjë kërkese për ndërtimin e hidrocentraleve  të reja në Kosovë.  

Aktualisht është bërë një plan operativ për inspektime tek të gjithë operatoret që kanë marrë dokumente përkatëse nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, komunave përkatëse si dhe institucioneve tjera lidhur me hidrocentralet dhe kështu nuk do të toleroj asnjë operator që të veproj jashtë kornizave ligjore të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Si rrjedhojë e kësaj të gjitha aplikacionet për trajtim të mëtutjeshëm do të analizohen pas përfundimit të inspektimeve si dhe do të hartohen raporte të detajuara për secilin rast veç e veç duke e pasqyruar tërë gjendjen dhe statusin e secilit rast.

Gjithashtu do të marrim një sërë hapash për t’i koordinuar veprimet me Zyrën e Rregullatorit për Energji dhe komunat përkatëse ku janë paraqitur këto kërkesa dhe kështu asnjë veprim nuk do të ndermirët pa u shterur i gjithë debati i brendshëm në mes të institucioneve përgjegjëse.

Çdo veprim që deri me tani është ndërmarrë nga MMPH është konform legjislacionit në fuqi dhe obligimeve që MMPH ka marrë nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ne më herët kemi pasur takime të përbashkëta me deputet të Kuvendit të Kosovës, përkatësisht anëtaret e Komisionit për Mjedis, ku kemi raportuar mbi veprimet e Ministrisë dhe kemi deklaruar që do të mbështesim çdo  iniciativë ligjore të plotfuqishme të Kuvendit të Kosovës, që do t’i hap rrugë të re kësaj çështje.

Të vetëdijshëm për situatën e krijuar pas zgjedhjeve ne si MMPH të njëjtën kërkesë dhe gatishmëri do ta përcjellim edhe pas konstituimit të Kuvendit në mënyrë që ç’do hap i yni të jetë në harmoni të plotë me të.

Situata e paqartë  e krijuar së fundi nga grupe të ndryshme na obligon që ta sqarojmë opinionin publik se nuk është marrë asnjë vendim sa i përket hapjes së rrugës për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.

Ashtu siç theksuam më lartë, aktualisht nuk jemi duke shqyrtuar dokumentacione  për pajisje me leje të reja përkatëse nga ana e MMPH-së, kurse për politikat e ardhshme se si do të orientohen për rastet e Hidrocentraleve, do të vendosin institucionet e reja qeverisëse të vendit.

Mbetemi të hapur për çdo kërkesë për qasje në dokumente zyrtare ashtu siç kemi vepruar deri me tani dhe po ashtu ofrojmë gatishmërinë tonë të pa rezervë për çdo bashkëpunim  eventual që ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit.