1822 - Galeria_single | MMPH

Në një ceremoni të organizuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, Ministri i  Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka nënshkruar gjashtë Udhëzime Administrative nga fusha e kadastrës dhe regjistrimit të pronës,  të cilat siç u tha edhe nga vetë Ministri Matoshi, do të ngritin kualitetin e produkteve dhe shërbimeve kadastrale dhe pronësore që Agjencia Kadastrale e Kosovës, Zyrat Kadastrale Komunale dhe Kompanitë e licencuara gjeodete dhe gjeodetët e licencuar u ofrojnë qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. 

Pas nënshkrimit të këtyre Udhëzimeve Administrative, Ministri Matoshi përmendi disa nga përfitime e menjëhershme për qytetarët, duke veçuar shmangien e procedurave burokratike, standardizimin e çmimeve për produkte dhe shërbime kadastrale të cilat ofrohen nga Zyrat Kadastrale Komunale, Kompanitë e licencuara gjeodete dhe gjeodetët e licencuar dhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, krijimin e bazës ligjore për ofrimin e produkteve online, pastaj lehtësim në ndarje e bashkim të parcelave nga pronarët, e ngjashëm.

“Me nënshkrimin e këtyre udhëzimeve administrative, janë standardizuar çmimet për produkte dhe shërbime të cilat u ofrohen qytetarëve, ngritën kriteret për licencim të gjeodetëve dhe kompanive gjeodete, e  paralel me to edhe kualiteti i shërbimeve ndaj qytetarëve. Po ashtu eliminohen pengesat për ndarjen dhe bashkimin e parcelave në zonat urbane”, tha Matoshi.​

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, potencoi se që nga marrja e mandatit të Kryeshefit Ekzekutiv ka qenë i angazhuar në identifikimin e sfidave në fushën e kadastrës, gjeodezisë dhe të drejtave pronësore, si dhe në gjetjen e mjeteve për tejkalimin e këtyre sfidave.  

“Gjatë këtij viti përveç projekteve kapitale, kemi finalizuar draftet për dy projekt Ligje që rregullojnë fushën e kadastrës dhe administrimit të tokës, respektivisht Ligjin për Kadastër dhe Ligjin për Infrastrukturën e të Dhënave Hapësinore,  si dhe kemi avancuar 11 akte nënligjore, 6 prej të cilave po nënshkruhen sot dhe kanë të bëjnë me fushën e kadastrës dhe gjeodezisë dhe 5 të tjera që e mbulojnë fushën e regjistrit dhe sistemit të adresave e që besoj se do të nënshkruhen në ditët në vijim”, tha Ahmeti duke theksuar se ka edhe besim që Qeveria në ardhje do të përkrahë Agjencinë me shtyrjen përpara të e dy projekt Ligjeve të përmendura sipër.

“Ligji i ri për kadastër parasheh riorgaizimi e sistemit kadastral në nivel vendi, ndërsa ky riorganizim do të shënojë një kapitull të ri për kadastrën e Kosovës, pra një reformë rrënjësore, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe duke ulur në minimum mundësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke eliminuar dukuritë negative sikurse është korrupsioni”, tha në fund të ceremonisë, Kryeshefi Ahmeti.

Përndryshe, draftimi i këtyre Udhëzimeve Administrative i është nënshtruar një procesi gjithëpërfshirës mes ekspertëve vendor e ndërkombëtar, me përfshirjen e Shoqatës së Gjeodetëve të Kosovës, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor, Ministrinë e Drejtësisë, Odën e Avokatëve dhe atë të Noterëve, si dhe pas diskutimeve me ekspertë nga Banka Botërore, USAID-i dhe ekspertët norvegjez.

Përndryshe, Udhëzimet Administrative të nënshkruara sot janë:  Udhëzimi Administrativ për ndarjen dhe regjistrimin e parcelës, Udhëzimi Administrativ për matjet kadastrale për regjistrim në kadastër, Udhëzimi Administrativ për ndarjen e ndërtesës dhe pjesëve të ndërtesës, Udhëzimi Administrativ për ndarjen e zonave kadastrale, Udhëzimi Administrativ për licencimin e kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve si dhe Udhëzimi Administrativ për tarifat dhe produktet e Agjencisë Kadastrale.