2416 - Galeria_single | MMPH

Ministri Kuçi ofron përkrahje për projekte të ujërave dhe Sheshin Qendror të qytetit në Rahovec

Prishtinë, 04.09.2020 - Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Blerim Kuçi, ka vizituar sot Komunën e Rahovecit, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi.

Ministri Kuçi, bashkë me kryetarin e  Latifi, kanë  zyrtarizuar memorandumin e bashkëpunimit për financimin e projektit për rregullimin e shtratit të lumit që kalon nga Hoça e Madhe e shkon deri në Krushë të Madhe me vlerë prej 1 milion e 294 mijë euro, i cili do të shpëtojë fshatra nga vërshimet e mundshme.

Gjatë kësaj vizite ministri Kuçi, ka bërë të ditur se nga planifikimet buxhetore për vitin e ardhshëm, do të përkrahin; projektin e sheshit të Rahovecit, një gamë të projekteve për rregullimin e shtretërve të lumenjve dhe një projekt model për impiant biologjik të ujërave të zeza.

“Investimet në Rahovec i kemi në dy faza. Faza e parë ka të bëjë me memorandumin që rregullon shumë probleme që kanë të bëjnë me rregullimin e shtretërve të lumenjve dhe faza e dytë, planifikimin e të cilit e kemi orientuar drejtë një procesi për vitin 2021, që ka të bëjë me planifikimin buxhetor. Projekti më madhor është sheshi i qytetit që është me rëndësi për qytetarët në përgjithësi. Po ashtu do të gjejmë mundësinë ta financojmë një pilot-projekt që ka të bëjë me trajtimin e ujërave të zeza në aspektin biologjik”, ka thënë Kuçi.

Ministri Kuçi vizitoi edhe lokacionin e planifikuar për Sheshin Qendror të Rahovecit, ku u prezantua projekti edhe nga drejtori i Urbanizmit në Komunën e Rahovecit, Rumir Zhuniqi.

Pjesë e kësaj vizite ishte edhe biznesi “Osa Termosistem”, ku ministrit Kuçi foli për rëndësinë e sektorit privat.

“Jemi këtu te fabrika ‘Osa Termosistem’, që është një prodhues me traditë dhe ka një gamë të gjerë të produkteve në shumë fusha të caktuara. Risitë që i pamë këtu, kanë të bëjnë me pajisjet që i duhen industrisë së ushqimit që janë më të domosdoshme për tregun e Kosovës . Është një kompani e suksesshme, profesionale që ka bërë emër jo vetëm ne Kosovë. Ne kemi ardhur ta shohim si po funksionon dhe për të parë se çfarë mbështetje mund t'i japim në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike”, shtoi ministri Blerim Kuçi.

Ndër të tjera, kryetari Smajl Latifi ka njoftuar ministrin Kuçi edhe për zhvillimet dhe projektet tjera të qytetit.