2484 - Galeria_single | MMPH

Zëvendës ministrja e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit Burbuqe Bakija-Deva, hapë fushatën "T'i Japim Vendit Ngjyra". Me këtë rast zv.ministrja në fjalën e saj u shpreh se, kjo fushatë nga sot nis rrugëtimin për mbjelljen e 1.8 milion drunjëve gjithandej vendit. Ky projekt madhështor do të implementohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën jo qeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën”. Në vazhdim ajo tha se është nderë që në emër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të lansojmë fushatën më të madhe kombëtare “T’i japim vendit ngjyra”.

Kjo Fushatë parasheh që brenda 10 viteve të mbillen 1.8 milion drunjë në të gjithë Kosovën, përveç që do të ndikoj në uljen e nivelit të ndotjes së ambientit, po ashtu rrugëve dhe qyteteve tona do t’iu jap një pamje tjetër duke gjelbëruar dhe zbukuruar. Të mbrosh mjedisin do të thotë të mbrosh jetën tënde, mjedisi është shtëpia jonë, të cilën duhet ta mbajmë të pastër, ta ruajmë dhe ta mbrojmë nga çdo degradim, qoftë edhe nga vetja jonë. Krijimi i mjedisit të sigurt jetësor si dhe mbrojtja e tij, janë çështje vendimtare jo vetëm për shëndetin e qytetarëve por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit si institucion qeveritarë që në përgjegjësinë e saj ka edhe mbrojtjen e mjedisit, angazhohet që përmes monitorimit të integruar të mjedisit, sistemit efikas të informimit mjedisorë dhe raportimit të vazhdueshëm për gjendjen e mjedisit, të ruajë kualitetin e ajrin, ujit, tokës dhe biodiversitetit, të promovojë shfrytëzimin e burimeve të ripërtritshme të energjisë dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore, me qëllim që të sigurojë një mjedis të shëndetshëm për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme në harmoni me progresin e zhvillimeve ekonomike dhe sociale.

Po ashtu zv.ministrja shtoi se si Ministri jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të investojmë në fushën e mjedisit, me qellim të përmisimit dhe kthimit në normalitet të Ajrit, si njërit nga faktorët kryesor të jetës. Si në mbarë botën ashtu edhe në vendin tonë shoqëria po përballet me probleme të mëdha që lidhen me mjedisin si: ndotja e ajrit, prishja e ekuilibrave të ekosistemeve, shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore, andaj ne e kemi mundësinë të bashkohemi për ta parandaluar këtë fenomen, njëherit aktivizimi qytetar është çelësi kryesor për zgjidhjen e problematikave mjedisore dhe çdo kush mund të ndihmojë sidomos në ngritjen e vetëdijes qytetare për rendësin e mjedisit! Gjithashtu ruajtja dhe kujdesi për mjedisin nuk është vetëm një obligim shtetëror, por edhe detyrim shoqëror, mbi të gjitha është dhe një përgjegjësi individuale. Andaj të bashkohemi të gjithë për një mjedis të pastër, dhe të mbrojtur mirë që do të shërbejë për një shoqëri të shëndoshë dhe një ekonomi të qëndrueshme.