
- Hyrje
Si rezultat i gjendjes së cilësisë së ajrit gjatë ditëve të fundit dhe diskutimit në mbledhjen e 121 të Qeverisë së Kosovës të mbajtur me 21.12.2016, ku janë diskutuar mundësitë e parandalimit të ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së ajri, është kërkuar shqyrtimi dhe miratimi i një plani të masave për zvogëlimin e ndotjes, ku do të përcaktohen veprimet afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata, që duhet ndërmerren.
Bazuar në përgjegjësitë institucionale dhe Ligjore, MMPH ka përgatitur “Planin e Masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe gjendjes së mjedisit”.
- Gjendja aktuale mjedisore
Gjendja e ajrit në Kosovë me theks të veçantë në pjesën qendrore gjatë ditëve të fundit ka qenë e rënduar, ku janë regjistruar kryesisht tejkalime mbi normat e lejuara me ndotësit PM10 dhe PM2.5 dhe vetëm gjatë muajit dhjetor janë regjistruar 16 ditë tejkalime.
Kjo gjendje ka ardhur kryesisht si pasojë e shkarkimeve të ndotësve në ajër nga industria, transporti dhe shtimit të emisioneve nga sektori i ekonomive familjare dhe bizneseve të vogla gjatë këtij sezoni, duke i shtuar edhe kushtet meteorologjike të pafavorshme për shpërndarjen e ndotjes.
Në këtë gjendje ka ndikuar në masë të madhe edhe ndotja e trashëguar nga e kaluara por edhe gjendja sociale dhe ekonomike në Kosovë.
Gjithashtu edhe buxheti i ndarë për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (më pak se 1% e Buxhetit të Kosovës), ka ndikuar në kufizimin e mundësive për ngritjen e infrastrukturës mjedisore, zhvillimin e këtij sektori dhe realizimin e projekteve për përmirësimin e gjendjes. Ky buxhet ka shënuar rënie gjatë katër viteve të fundit.
Kjo situatë ka lindur nevojën për trajtimin gjithëpërfshirës të këtij problemi dhe vendosjen e këtyre çështjeve në kuadër të prioriteteve zhvillimore të Qeverisë së Kosovës.
Megjithëkëtë problemi i ndotjes së ajrit nuk mundë të trajtohet si i veçuar nga gjendja e përgjithshme mjedisore, prandaj plani i masave përfshinë edhe sektorë tjerë mjedisor dhe institucione tjera relevante që kanë përgjegjësi të caktuara në zbatimin e legjislacionit dhe akteve tjera nënligjore në sektorin e mjedisit.
- Korniza ligjore, programore dhe institucionale
MMPH përgjegjëse për menaxhimin e cilësisë së ajrit ka kompletuar legjislacionin për këtë fushë, bazuar në legjislacionin e BE dhe përshtatur me gjendjen socio ekonomike të vendit, ku përfshihen:
· Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja LIGJI Nr. 03/L-160,
· Udhëzimi Administrativ (U.A) për Normat e shkarkimeve në ajër nga burimet e palëvizshme,
· U.A për kontrollin e emisioneve të bashkëdyzimeve organike të avullueshme gjatë deponimit zbrazjes, mbushjes dhe transportimit të karburanteve,
· U.A për Kriteret për përcaktimin e pikave monitoruese, numrin dhe shpeshtësinë e matjeve, klasifikimin e ndotësve të cilët monitorohen, metodologjinë e punës, formën dhe kohën e raportimit të dhënave,
· U.A për normat e cilësisë së ajrit,
· U.A për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme të ndotjes.
Si pjesë e programit të përgjithshëm për mbrojtjen e mjedisit, është edhe Strategjia për Cilësinë e Ajrit për vitin 2013-2022, e aprovuar në Kuvend me datën 19.12. 2013, Nr. 04/V-741.
Këtë vit është përgatitë Plani i Veprimit për Cilësinë e Ajrit (PVCA).
Kosova është anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë-TKE, me të cilin merr obligim për përgatitjen e Planit Kombëtar për Zvogëlimin e Emisioneve (PKZE), i cili është dërguar në TKE për miratim.
- Veprimet e ndërmarra deri me tani për përmirësimin e gjendjes aktuale
Me qëllim të përmirësimit të gjendjes aktuale MMPH deri me tani ka ndërmarr këto veprime:
· Është formuar Task Forca me qëllim të bashkërendimit dhe koordinimit të aktiviteteve në nivelin nacional.
· Është rritur informimi i publikut për cilësinë e ajrit në baza ditore dhe informimit të përmes mediave,
· Janë shtuar aktivitetet për vetëdijesimin e publikut për mbrojte nga ndotja e ajrit, përmes përgatitjes së udhëzuesve përkatës,
· Është rritur niveli i koordinimit me institucionet tjera përgjegjëse për sektorin e ajrit me që rast janë mbajtur takime dhe janë dërguar kërkesa MZHE, MAPL, MTI dhe MI për ti zbatuar obligimet që dalin nga legjislacioni për ajrin.
· Është rritur niveli i bashkëpunimit dhe komunikimit me organizatat e shoqërisë civile, komunën e Prishtinës dhe IKSHP.
· MMPH përmes Inspektoratit ka kërkuar nga KEK-u, që të ndërmarrin të gjitha masat teknike, profesionale dhe ligjore në zvogëlimin e emisioneve.
Përkundër aktivitetet e ndërmarra deri tani, me qëllim të përmirësimit te gjendjes nevojiten edhe masa tjera shtesë të cilat do të rrisnin efikasitetin e zbatimit të legjislacionit dhe akteve ligjore, zbatimit e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për cilësinë e ajrit, rritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve dhe ngritjen e kapaciteteve teknike dhe humane.
- Objektivat
· Përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe e mjedisit nga e cila do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.
· Rritja e nivelit të zbatimit të legjislacionit për mjedis.
· Zvogëlimi i numrit të sëmundjeve si pasojë e ndotjes së mjedisit.
· Ngritja e kapaciteteve teknike dhe njerëzore në sektorin e mjedisit dhe e nivelit të menaxhimit të mjedisit.
· Fuqizimi i zbatimit të planifikimit hapësinor dhe urban.
· Fuqizimi i kontrollit të cilësisë dhe përdorimit të lëndëve djegëse.
· Rritja e numrit të bizneseve të gjelbra.
· Përmbushja e kushteve për procesin e MSA-së.
- Plani i masave
- Masat afatshkurta
· Të ngritët në nivelin e prioriteteve kryesore të Qeverisë së Kosovës, çështjet e mbrojtjes së mjedisit me fokus në sektorin e ajrit.
· Të rritet buxheti i përgjithshëm i MMPH e veçanërisht buxheti për projekte kapitale mjedisore.
· Të ndahen mjete për kategorinë e subvencioneve të MMPH me qëllim të mbështetjes dhe promovimit të aktiviteteve/projekteve të OJQ-ve dhe komunave në sektorin e mbrojtjes së mjedisit.
· Të rishikohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për importin e veturave.
· Të zbatohet menjëherë Udhëzimi Administrative për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme të ndotjes.
· Të rritet kontrolli i cilësisë së derivate që importohen dhe shiten në Kosovë sipas Ligjit Nr. 2004 /5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës në Kosovë, Ligjit Nr. 03/L-138 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2004/5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës në Kosovë dhe U.A. Nr. 07/2012 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës.
· Të informohet publiku për pasojat në shëndet nga ndotja e ajrit,
· Të promovohet dhe subvencionohet transporti publik në qendrat kryesore të Kosovës, e në veçanti në rastet e ndotjes së lartë.
· Të rritet inspektimi i përdorimit të lëndëve djegëse në ekonomitë familjare dhe në biznese.
· Të fuqizohet inspektorati në nivel qendror dhe lokal përmes trajnimeve, pajisjeve mobile për matje dhe kompensimeve për rrezikshmëri në punë.
- Masat afatmesme
· Të zgjerohet rrjeti i kogjenerimit në qytetin e Prishtinës dhe në qendrat tjera të Kosovës, ku kjo është e mundur.
· Të bëhet riorganizimi i transportit publik në qendrat kryesore të Kosovës dhe në zonat me ndotje të lartë.
· Të finalizohen planet zhvillimore komunale dhe hartat zonale të komunave të Kosovës në përputhje me zonat dhe aglomeratet e caktuara.
· Të zbatohet ligji për performancën e energjisë në ndërtesa si masë për kursimin e energjisë.
· Të themelohet fondi për mbrojtjen e mjedisit me qëllim të shfrytëzimit të instrumenteve ekonomik për realizimin e projekteve për përmirësimin e gjendjes së mjedisit.
· Të shpejtohen procedurat për miratimin e Planit të Veprimit për Cilësinë e Ajrit dhe të filloj menjëherë zbatimi i projekteve nga ky plan.
· Komunat të hartojnë Plane afatshkurtër të veprimit ku duhet të përfshijë masa lidhur me: qarkullimin e mjeteve motorike, ngrohjen në amvisëri, biznese dhe në shërbime tjera, me qëllim të zvogëlimit të shkallës së ndotjes së ajrit.
· Të rishikohen politikat e përgjithshme mjedisore.
· Të gjitha dokumentet Strategjike të nivelit qendror dhe lokal ti nënshtrohen procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor.
· Të ngiten kapacitetet teknike dhe humane në menaxhimin e hapësirave të gjelbra publike dhe në Parqet Kombëtare.
· Të rritet niveli i vetëdijesimit dhe edukimit mjedisore përmes hartimit të programeve të veçanta.
- Masat afatgjata
· Të zbatohen masat e Strategjisë për Cilësinë e Ajrit.
· Të ruhen dhe mirëmbahen sipërfaqet e gjelbra në zonat urbane dhe ku është e mundur të shtohen ato si dhe të përfshihen në kuadër të hartave zonale.
· Të ngritët niveli i planifikimit urban në komuna dhe në nivel shteti me adresim në ruajtjen e sipërfaqeve të gjelbra, tokave bujqësore dhe pyjeve.
· Të përkrahen projekte dhe aktiviteteve që kanë qëllim promovimin e energjisë së ripërtritshme dhe efiçencën e energjisë, dhe të rriten caqet për energjinë solare dhe të erës.
· Të lehtësohen procedurat e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike me standarde dhe teknologji të avancuar me qëllim të mbylljes së kapaciteteve të vjetra.
Mbështetja financiare në realizimin e projekteve mjedisore që dalin nga dokumentet strategjike në sektorin e mjedisit: Strategjia e Mbrojtjes së Mjedisit, Strategjia e Mbeturinave, Strategjia e Biodiversitetit, Strategjia e Ndryshimeve Klimatike dhe Planeve të Veprimit që dalin nga këto.
Plani i masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe gjendjes së mjedisit në Kosovë