834 - Galeria_single | MMPH

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me zyrtarët, Ilir Morina nga AMMK,  Muhamet Malsiu nga Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit, dhe këshilltarët politik, sot janë takuar me drejtorin gjeneral të Departamentit për Bashkëpunim Global  nga Korporata Koreane e Mjedisit, You, Jae-Cheon, menaxherin Kang, Jong-il dhe konsullin, James Chung.

Gjatë këtij takimi, është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes MMPH-së dhe Korporatës Koreane të Mjedisit, në fushën e ajrit, energjisë, mbeturinave, trajtimit të ujërave të zeza dhe krijimin e rezervave ujore.

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Kosova ka nevojë në investime të reja që kanë për qëllim mbrojtjen e mjedisit.

“Kemi probleme me ndotjen e ajrit, sidomos në Prishtinë. Në bashkëpunim me JICA Japoneze, jemi duke bërë një studim për evidentimin e ndotësve të ajrit. Jemi duke e rregulluar edhe infrastrukturën ligjore sa i përket ambientit, ku kemi miratuar Udhëzimin Administrativ për Gjoba Mandatore”, tha Matoshi.

Ministri Matoshi tregoi se MMPH-ja është duke punuar edhe në çështjen e menaxhimit dhe grumbullimit të mbeturinave duke ndihmuar kështu komunat e Kosovës në këtë çështje.

“ Kemi filluar një rrugë të mirë, jo shumë të lehtë që ta bëjmë vendin tonë të pastër. Trajtimi dhe menaxhimi i mbeturinave është një çështje që ne së bashku mundemi të bashkëpunojmë me projekte të ndryshme”, deklaroi ministri Matoshi.

Matoshi tha se një çështje tjetër e bashkëpunimit mes MMPH-së dhe Korporatës Koreane të Mjedisit, mund të jetë edhe trajtimi i ujërave të zeza, duke investuar në ndërtimin e impianteve.

“ Tek trajtimi i ujërave të zeza, ne kemi vë në rrugë për implementim ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në 7 qytete të Kosovës. Por akoma na mbesin edhe qytetet tjera që kanë nevojë për impiante sepse ujërat e zeza po vazhdojnë të derdhen në lumenj”, theksoi Matoshi.

I pari i MMPH-së tha se Kosova ka nevojë për investime edhe në krijimin e rezervave ujore.“ Aktualisht jemi në proces të bisedimeve, studimeve me Bankën Botërore për krijimin e 2 apo 3 ujëmbledhësve. Jemi vendi më i varfër në rajon sa i përket rezervave ujore andaj në këtë fushë kemi nevojë për investime”, tha ministri Matoshi.

Ndërsa përfaqësuesit e Korporatës Koreane të Mjedisit, ofruan bashkëpunim për përmirësimin e mjedisit në Kosovë, ndërsa vlerësuan lartë bashkëpunimin e ministrit Matoshi në këto çështje.