864 - Galeria_single | MMPH

Me rastin e 2 Shkurtit-Ditës Ndërkombëtare të Ligatinave, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës/Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka shënuar këtë ngjarje të rëndësishme mjedisore, ku morrën pjesë përfaqësues të institucioneve Qeveritare, Universiteti i Prishtinës, ekspertë të kësaj fushe si dhe përfaqësues nga organizatat jo qeveritare.

Fadil Bajraktari, drejtori IKMN-së, me këtë raste theksoi se në vargun e angazhimeve dhe aktiviteteve të IKMN/AMMK i ka kushtuar një vëmendje të posaçme mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit e me theks të veçantë mbrojtjes së zogjve që është e ndërlidhur ngushtë me mbrojtjen e ligatinave.

Ndërsa, prof. Dr. Halil Ibrahimi nga Departamenti i Biologjisë së Fakultetit të Shkencave potencoi se ekosistemet e ligatinave janë me biodiversitetin të pasure dhe ka shtuar se këto ekosisteme janë të rëndësishme sidomos për faktin se janë hapësira jetësore të shumë llojeve të zogjve.

Në emër të organizatave jo qeveritare z. Fatos Lajçi nga OJQ “ERA - Grup, ka bërë thirrje që të punohet më shumë në ruajtjen e Ligatinave dhe zogjve përmes shpalljes së zonave të mbrojtura dhe monitorimit të gjendjes së llojeve të rrezikuara të tyre.

Shënimi i 2 Shkurtit-Ditës Ndërkombëtare të Ligatinave sivjet korrespondon edhe me përvjetorin e dyzetë e tetë të Konventës së Ramsarit e cila është një marrëveshje ndërqeveritare që përcakton kornizën për një bashkëpunim ndërkombëtar në mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të ligatinave. Tema ndërkombëtare për shënimin e Ditën Botërore të Ligatinave për Vitinë 2019 ishte "Ligatinat dhe ndryshimet klimatike - Wetlands and climate change”.

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit të gjerë për rendësinë e ruajtjes së Ligatinave në veçanti dhe zogjve në përgjithësi, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës/Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka përgatitur Arsyeshmërinë profesionale për shpalljen e Ligatinës së Hencit Zonë e mbrojtur. Ndërsa Qeveria e Republikës se Kosovës në Vitin 2014 ka marrë vendimi për shpalljen e Ligatinës së Hencit Zonë e Veçantë e Mbrojtur e Zogjve, me sipërfaqe prej 109 h.