923 - Galeria_single | MMPH

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka raportuar para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në lidhje me hidrocentralet dhe çështjet e tjera që lidhen me mjedisin.

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se asnjë hidrocentral në Kosovë nuk ka leje mjedisore të dhënë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“ Asnjë hidrocentral në Kosovë nuk posedon leje mjedisore, asnjëri nga ta për MMPH-në, nuk është legal. Ka shumë kërkesa, shqyrtime të kërkesave por për momentin jemi në një moratorium. Ka shumë investitor që kanë marrë pëlqime ujore, leje ndërtimore por, asnjëri nga ta nuk është pajisur me leje mjedisore, që është dokumenti i fundit që e lëshon MMPH-ja përpara se një operator të filloj të operoj legalisht”, tregoi ministri Matoshi.

Para anëtarëve të komisionit, Matoshi tha se MMPH-ja nuk është i  vetmi institucion që merret me procedurat për leje të ndërtimit të një hidrocentrali, duke përmendur këtu komunat e Kosovës dhe ZRRE-në.

“Asgjë nuk fillon në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sa i përket çështjes së hidrocentraleve. Është një radhë e dokumenteve dhe procedurave që duhet të ndiqen që një operator të mund të funksionoj. Asnjë kërkesë në MMPH nuk trajtohet dhe nuk shqyrtohet pa pëlqimin e komunës në të cilin ndodh investimi. Për këtë arsye, kohëve të fundit unë kam vë theksin edhe në takime me kryetarët e komunave dhe të tjerët, që të jenë të vëmendshëm kur japin pëlqime investitorëve për ndërtimin e një hidrocentrali”, tha ministri Matoshi.

Ndër tjerash, ministri Matoshi, tregoi se deri më tani është vetëm një investitor i cili ka aplikuar për tu pajisur me leje mjedisore në MMPH për hidrocentral.

Matoshi tregoi se pas kërkesës së MMPH-së për mbylljen e hidrocentraleve për shkak të mos pajisjes me leje mjedisore, ZRRE-ja ka ndërprerë punën e investitorit në Deçan.

“ Kemi ngritur padi ne si MMPH, por Deçani për ne nuk është projekt i përfunduar.  Më 19 korrik 2016, inspektorati ynë ka qenë në Deçan dhe ka vërejtur që operatori nuk i ka plotësuar kushtet . I ka dhënë 30 ditë afat për t’i përmirësuar kushtet dhe pas kësaj kohe meqë nuk janë marrë parasysh kërkesat tona, lënda është dërguar në Gjykatë. Deri më sot nuk kemi asnjë përgjigje nga gjykata”, theksoi Matoshi.

Para anëtarëve të Kosovës, ministri Matoshi u përgjigj edhe për çështjet e tjera mjedisore, si ndërtimi i laurave në hyrje të Rugovës.

“ Janë tri arsye që kemi vendosur për laura në Rugovë: Parandalimi i prerjes ilegale të drunjve; ndërtimeve pa leje në parqe nacionale dhe ndalimin e gjuetisë ilegale sepse kemi një numër të madh speciesh që janë në rrezik zhdukjeje. Po ashtu një çështje tjetër është se nuk ka pasur investime në parqe dhe ne jemi të interesuar t’i kthej investimet dhe të krijojmë kushte  për vizitorët”, tha ministri Matoshi duke shtuar se banorët e kësaj zone nuk do të obligohen të paguajnë taksë për hyrje në Rugovë.

Ministri Matoshi duke folur për shqetësimet e komunës së Junikut tha se KRU Gjakova ka marrë leje ujore për të shfrytëzuar burimin e ujit që kalon nga Juniku për tu pajisur 28 fshatrat të Gjakovës me ujë të pijshëm.

“ Kjo ka shkaktuar një reagim nga komuna e Junikut, dhe e mirëkuptoj këtë megjithatë edhe Ligji për Ujëra është i qartë, bëhet fjalë për ujë të pijes dhe kur bëhet fjalë për ujë të pijes të gjitha qëllimet e tjera të shfrytëzimit të ujit bien poshtë”, deklaroi Matoshi.

Në fund të raportimit të tij para komisionit, ministri Matoshi ka ripërsëritur gatishmërinë e tij që të bashkëpunojë me komisionin në ofrimin e çdo dokumenti e përgjigje që mund  të kërkojnë deputetët si dhe duke bërë vizita të përbashkëta në teren.