933 - Galeria_single | MMPH

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Ndërministror për Administrimin e Tokës, në të cilën është diskutuar për të arriturat dhe sfidat që ka Agjencia Kadastrale e Kosovës si dhe u shpalosën rekomandimet e donatorëve për këtë agjenci.

Me këtë rast ministri Matoshi, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës njeh peshën e administrimit të tokës si nga aspekti i zhvillimit ekonomik po ashtu edhe nga aspekti i mirëqenies sociale për secilin qytetar të Republikës së Kosovës pa dallim gjinie, gjuhe apo etnie.

“ Pikërisht për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe agjencive të saj vartëse ofron tërë potencialin e saj në avancim të administrimit të tokës, duke u përpjekur të ndjek trendët në shtetet e zhvilluara përmes avancimit të legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve profesionale, avancimit të teknologjisë së informacionit dhe përmes investimeve kapitale”, tha Matoshi.

Ministri Matoshi tha se rezultatet e kësaj përkrahjeje kanë qenë konkrete dhe të prekshme si për qytetarët po ashtu edhe për institucionet.

” Tatimi i tokës, sistem i unifikuar i adresave, regjistra të sigurt pronësorë, investime në bujqësi, mjedisit më i shëndetshëm,  infrastrukturë e zhvilluar rrugore, shkëmbin më i shpejtë e me i sigurt i të dhënave, ofrimi i shërbimeve të ndryshme publike janë disa nga fushat ku po shënohet avancim konkret”, deklaroi Matoshi.

I pari i MMPH-së, u ofroi mbështetje Agjencisë Kadastrale të Kosovës ndërsa tha se çdo rekomandim i tyre dhe i donatorëve ndihmon dhe lehtëson politik-bërjen dhe vendimmarrjen.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të akterëve, është një strategji e qartë dhe e nevojshme gjatë zhvillimit të administrimit të tokës  në Republikën e Kosovës.

“Administrimi i tokës po hynë në një fazë më dinamike. Kjo fazë dhe dinamikë kërkon nga ne që të ndryshojmë shumëçka si në aspektin e koordinimit të aktiviteteve, të avancimit profesional, të avancimit të legjislacionit, të shërbimeve, të ofrimit të produkteve me kualitet sa më të lartë, ngritjen e kualitetit të të dhënave ekzistuese, avancimin në mënyrën e shpërndarjes së të dhënave si dhe avancimin në aspektin e teknologjisë informative”, deklaroi Ahmeti.

Pjesë e takimit të Komitetit Ndërministror për Administrimin e Tokës ishin edhe ministri i Ministrisë se Administratës Publike, Mahir Jagcilar, sekretari i MMPH-së, Arben Çitaku, zv/ministri i Ministrisë se Drejtësisë, Fadil Nura, zv/ministri i Ministrisë se Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi, zv/ministri i Ministrisë se Financave, Hyzer Gashi, zv/Ministri i ministrisë se Administrimit të Pushtetit Lokal , Beqir Abdullahu si dhe donatorët si: Banka Botërore, Kartverket (Norvegji), USAID, JICA, GIZ, UN HABITAT, Zyra e BE-së në Kosovë dhe SIDA, të cilët vlerësuan se Draft Ligji për Kadastër duhet të miratohet si i tillë për shkak se parasheh transparencë në të dhëna.  Po ashtu, ata vlerësuan se është e domosdoshme që Kosova, në një të ardhme të afërt, të ketë sistemin adresave nëpër gjitha komunat e Republikës së Kosovës.