953 - Galeria_single | MMPH

Prishtinë, 13 shkurt: Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me përfaqësuesit e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, udhëheqësin e projektit, Gerrit Bodenbender, sot kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për realizimin e projektit “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, përmes menaxhimit ndërkufitar të rrezikut nga përmbytja në Ballkanin Perëndimor”, i cili ka vlerën 3 milion euro.

Ministri Matoshi, tha se nënshkrimi i këtij memorandumi, është një dëshmi e radhës  së bashkëpunimit dhe përkrahjes së madhe që kemi nga Qeveria Gjermane në fushën e mjedisit.

“Qëllimi i këtij projekti është përforcimi i menaxhimit ndërkufitar të rrezikut nga përmbytjet në lidhje me ndryshimet klimatike në Ballkanin perëndimor. Më këtë projekt Kosova do të shënojë edhe me tutje rezultate pozitive në fushën e ndryshimeve klimatike dhe mbrojtje nga përmbytjet”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, falënderoi Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in, për mbështetjen e vazhdueshme në fushën e mjedisit.

“Falënderoj GIZ për ofrimin e 6 stacioneve hidrologjike dhe meteorologjike në basenin e Drinit, Instalimin e data bazës klimatologjik, hidrologjik dhe meteorologjik (MCH) dhe trajnimin për përdorimin dhe mirëmbajtjen e bazës së të dhënave, krijimin e një modeli hidrologjik për parashikimin e përmbytjeve në basenin e Drinit”, deklaroi Matoshi.

Projekti “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, përmes menaxhimit ndërkufitar të rrezikut nga përmbytja në Ballkanin Perëndimor”, do të realizohet për tri vite në katër shtete të rajonit.

“Realizimi i këtij projekti është dëshmi që mjedisi nuk njeh kufij dhe vetëm së bashku si shtete mund të kalojmë suksesshëm sfidat e përbashkëta që kemi në fushën e mjedisit”, tha ministri Matoshi.

Ndërsa sekretarja e parë e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Anja Becky, tha se Kosova dhe shtetet e rajonit duhet të jenë të përgatitura për të reaguar në fatkeqësitë natyrore, që ndodhin nga ndryshimet klimatike.

“Fatkeqësitë natyrore si përmbytje dhe thatësira, ka kohë që ndodhin në rajon. Neve na duhet ta përgatisim vetën shumë mirë në mënyrë që t’i menaxhojmë ashtu siç duhet këto emergjenca duke i monitoruar por edhe duke i parashikuar këto ndodhi natyrore në mënyrë që të kemi mundësi të përgatisim veten”, deklaroi Becky.

Sekretarja e parë, Becky tha se Qeveria Gjermane dhe GIZ ka kënaqësi të punojë me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të adresuar gjitha çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin.