966 - Galeria_single | MMPH

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka pritur në takim zëvendësministrin e Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Estonisë, Meelis Munt, sekretarin gjeneral ,Kaupo Heinma, drejtoreshën e Përgjithshme të Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Kerli Kiili dhe Zyrtaren e Lartë për Marrëdhënie me Publikun, Kadri Kauksi.

Pas takimit, në një konferencë për media, ministri Matoshi tha se me zëvendësministrin Munt, kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e mjedisit mes Kosovës dhe Estonisë si kthimi i dispozitave, e- qeverisja dhe organizimi për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit që do të koordinohet dhe udhëhiqet nga Kosova.

" Estonia është një vend mik i Kosovës dhe vendi ynë është i gatshëm të bashkëpunojë me miqtë tanë. Gjatë vizitës sime në Estoni kam parë një mundësi të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona andaj neve na duhet çelësi i suksesit", deklaroi ministri Matoshi.

Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Estonisë, Meelis Munt tha se vendi i tij është i gatshëm të bashkëpunojë me Kosovën në të mirë të mjedisit.

" Në takimin tonë që e patëm diskutuam për disa fusha që mund të kemi bashkëpunim dhe i nënvizuam pikat në të cilat do të kemi bashkëpunim në vitet në vijim në fushën e mjedisit. Mjedisi dhe mbajtja e një mjedisit të pastër nuk njeh kufi andaj do të mundohemi që së bashku të mbajmë gjithçka të pastër", deklaroi zëvendësministri Munt.

Ministri Matoshi dhe zëvendësministri Munt, kanë rënë dakord që bashkëpunimin mes Kosovës dhe Estonisë ta formalizojnë  përmes një Memorandumi të Bashkëpunimit në një të ardhme të afërt.

Vizita e delegacionit të Republikës së Estonisë vjen në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit që po shënohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me një sërë aktivitetesh.