
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, mori pjesë në konferencën “everGREEN Kosovo”, të organizuar nga “Let’s Do It Kosova”, kurse financuar nga Kombët e Bashkuara në Kosovë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve ministri Matoshi ka falënderuar organizatorin e këtij forumi , organizatën “Lets Do It Kosova” si dhe Kombet e Bashkuara për financimin e tij.
Më tej Matoshi ka theksuar se krahas angazhimit institucional dhe veprimeve konkrete që po ndërmarrim në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në vend, adresimi i mirëfilltë i sfidave mjedisore dhe nxjerrja e solucioneve më të mira në konferenca të tilla është i mirëseardhur.
“Pavarësisht diversitetit në qëndrime dhe opinione rreth aktualitetit mjedisor në vend, besoj që të gjithë pajtohemi në së paku 3 fakte.
1. Asnjëherë më parë nuk ka pasur angazhim më të madh institucional dhe koordinim në kryerjen e përgjegjësive ligjore në përmirësimin e gjendjes se mjedisit në vend.
2. Asnjëherë me parë nuk kemi pasur vullnet dhe mobilizim më të madh të shoqërisë civile në adresimin dhe angazhimin praktik në çështjet mjedisore dhe:
3. Asnjëherë më parë nuk kemi pasur aktivizim dhe vetëdije më të madhe të qytetarëve ne mbrojtjen e mjedisit”, ka deklaruar Ministri Matoshi.
Matoshi ka deklaruar po ashtu se falë këtij angazhimi institucional dhe shoqëror, me përkrahjen e pa rezervë të donatorëve ndërkombëtar po shënojmë hapa pozitiv në krijimin e një Kosove të gjelbert që promovon jetën e shëndetshme, mbrojtjen e burimeve tonë natyrore dhe përdorimin racional të tyre.
“Si rezultat i gjithë kësaj Republika e Kosovës këtë vit është mandatuar nga Let’s Do It World për të bërë organizimin e ditës botërore të pastrimit 2019 dhe 2020.
Investimet tona të vazhdueshme në fushën e mbrojtjes së lumenjve, trajtimin të ujerave të zeza, reduktimin e ndotjes së ajrit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbrojtjen e bio-diversitetit, menaxhimin e integruar të mbeturinave, ndarja e milionave fondeve bashkë me donatorët ndërkombëtar për komunat e Republikës së Kosovës, do të sjellin rezultate konkrete në arritjen e synimeve tona për një Kosovë të pastër dhe të gjelbert”, ka vlerësuar më tutje Matoshi.
Në fund Ministri Matoshi i ka bërë thirrje kryetarëve të komunave, shoqërisë civile dhe qytetarëve që të vazhdojnë angazhimin e tyre sepse sipas tij nuk mund të mendojmë për një shoqëri të shëndoshë dhe mirëqenie sociale nëse nuk kemi një mjedis të pastër.