1809 - Single_page | MMPH

Lajmet

MMPH organizoi tryezë të rrumbullakët dhe shpalli fituesit nga konkursi i fotografisë për Ditën Botërore të Planifikimit të Qyteteve

MMPH organizoi tryezë të rru…
Prishtinë, 08 November -

Me rastin e 8 Nëntorit Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor/Instituti për Planifikim Hapësinor në përkrahje të programit zhvillimor gjithëpërfshirës, të financuar nga Qeveria Suedeze dhe zbatuar nga UN-Habitat, PAX dhe CBM, organizuan tryezë të rrumbullakët me tëmën “Lagjja si element themelor i organizimit hapësinor në qytet. Po ashtu këtë ditë u shpallën edhe 3 fituesit nga “konkursi i fotografisë”.

Në këtë tryezë morën pjesë ekspertë të fushës, përfaqësues nga universiteti, shoqëria civile, zyrtar kompetent nga niveli qendror dhe lokal, përfaqësues të kompanive profesionale, donator të fushës si dhe qytetarë të interesuar. Ndërkaq, janë elaboruar shembuj të ndryshëm nga pjesëmarrësit duke mundësuar shkëmbimin profesional dhe duke inkurajuar bashkëpunimin ndër komunal dhe ndërinstitucional.

Drejtori i Institutit për Planifikim Hapësinor në MMPH, z. Luan Nushi, në fjalimin e tij tha se “Qëllimi i kësaj tryeze është vënia në pah e rëndësisë së lagjeve në kuptimin teknik/hapësinor dhe social të fjalës dhe domosdoshmërinë e trajtimit adekuat të tyre.

Ndërsa, Sekretari i MMPH-së, z. Arben Çitaku, tha se “8 Nëntori, Dita Botërore e Planifikimit të Qyteteve, është ditë e rëndësishme për çdo qytetarë të botës që dëshiron qytet më funksional, lagje më urbane, mjedis më të mbrojtur, dhe të menaxhuar me më shumë kujdes, përgjegjësi më të lartë qytetare. Përmbushja dhe respektimi i këtyre dëshirave do të na ndihmoj që të shmangemi nga praktikat e deritashme me ndikim në zhvillim stihik të qyteteve tona, shpesh të pamenduar mirë dhe me pasoja të papërmirësueshme.

Sa i përket shembujve konkret, z. Ilir Gjikolli, profesor i arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, përmes një prezantimi bëri një krahasim të lagjeve si ishin në të kaluarën dhe si janë tani. Sipas tij duhet të rritet vetëdija e qytetarëve për përkujdes ndaj lagjes përfshirë ruajtjen e mjedisit, e po ashtu përveç banimit të këtë: shkolla, hapësira publike, e infrastrukturë të kompletuar.

Në anën tjetër përfaqësuesit komunal nga Komuna e Prishtinë në këtë tryezë paraqiten një projekt ideor, për krijimin e një lagje siç e quajtën “Lagje Model”, që është propozuar të ndërtohet në Bërrnicë të Poshtme pjesa Veriore e Prishtinës. Në këtë projekt ideor u paraqit ndërtimi lagjes, duke përfshirë hapësirat për banim, shollën, çerdhja, hapësira publike, mobiliteti i lagjes, transporti urban, e shumëçka tjetër që e bën lagjen të kompletuar.

Po ashtu në këtë tryezë morën pjesë edhe një grup i studentëve të cilët përmes hartave paraqiten disa propozime konkrete për Mitrovicën Jugore dhe Qytetin e Vushtrrisë se si do të duhet të organizoheshin lagjet.

Pas përfundimit të tryezës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor, bëri shpalljen e fituesve të ekspozitës së fotografisë.

Vendin e parë e fitoi, Valdrin Fetahu, ku përmes një fotografie ka paraqitur një lagje, dhe për këtë është shpërblyer me 500 euro. Vendi i dytë i takoi Shenoll Ismajlit dhe u shpërblye me 200 euro, ndërsa vendin e tretë e morri Astrit Maloku dhe fitoi 100 euro.

Sipas zyrtarëve të MMPH-së, mesazhet që janë pasqyruar përmes fotografive konkurruese do të duhej të jenë një shtytje për vendim-marrësit e Kosovës që të ndërmarrin hapat e duhur për të përmirësuar kushtet në nivele të lagjeve, duke mos lënë askënd dhe asnjë hapësirë të pa trajtuara mbrapa!

Ekspozita e këtyre fotografive është e hapur në hollin e Ndërtesës së Qeverisë së Kosovës (objekti ish Rilindja).

Foto Galeria

Kthehu