2042 - Single_page | MMPH

Lajmet

Ministri Matoshi: Viti 2019, vit i sfidave dhe sukseseve në fushën e mjedisit

Ministri Matoshi: Viti 2019, v…
Prishtinë, 24 December -

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka mbajtur sot konferencën e fundit për këtë vit për media, në të cilën ka paraqitur projektet dhe aktivitetet që janë zhvilluar brenda këtij viti.

Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi ka përmendur veprimet e ministrisë, hartimin dhe miratimin e akteve ligjore e nënligjore, investimet milionëshe në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, përkrahjen për komunat, bashkëpunimin me donatorët si dhe sfidat për të ardhmen.

Sipas Matoshit prioritet i tij kryesor gjatë mandatit qeverisës ka qenë mbrojtja e burimeve ujore si dhe ndërtimi i hidrosistemeve të reja në Kosovë, në mënyrë që të sigurojmë ujë të pijshëm për të gjithë qytetaret e Kosovës.

“Për këtë, bashkë me Bankën Botërore, pas një pune një vjeçare kemi arritur që të fillojmë se jetësuari projektin më të madh në këtë fushë, ndërtimin e hidrosistemit KIK-Kremenatë, i cili do të evitojë krizat që po kemi ne sigurimin e ujit të pijshëm në pjesën lindore të Kosovës.

Projekte të tilla do të realizohen edhe në komuna tjera të Kosovës”, tha Ministri Matoshi.

Ai po ashtu ka theksuar se me buxhetin e MMPH-së, janë duke u realizuar shumë projekte në rregullimin e shtretërve të lumenjve në të gjitha komunat e Kosovës, për të eliminuar degradimin e madh, e të cilat arrijnë vlerën rreth 16 milion euro.

“Për momentin në vendin tonë  trajtohen  vetëm 4 % e ujerave të zeza. Në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtar kemi filluar projektet për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, disa prej të cilave janë në përfundim e sipër e disa të tjera në fazën fillestare të realizimit”, tha Matoshi.

Matoshi ka folur edhe për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave duke thënë se MMPH së bashku me shoqërinë civile ka organizuar fushata pastrimi dhe rehabilitimi të zonave të degraduara me vite në Kosovë përmes krijimit të zonave të reja të gjelberta.

“Kemi filluar investimet në zonat e veçanta të mbrojtura në Kosovë, në të cilat me vite nuk ka pasur kushte të përshtatshme minimale për vizitorë, duke përfshirë Ujëvarën e Mirushes, Shpellën e Gadimes etj.

Po ashtu, kemi përkrahur komunat e Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të tyre në fushën e menaxhimit të mbeturinave, ku bashkë me GIZ-in dhe BE-në kemi lansuar grantin e performances për komunat me 7 milion euro.“, ka thënë tutje Ministri Matoshi.

Ai ka thënë se kanë marrë grant 2.2 milion euro nga Qeveria Japoneze në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, kanë hartuar strategjinë për menaxhimin e mbeturinave si dhe janë duke i dhënë zgjidhje qeseve të plastikes dhe po ashtu janë në krijim e sipër të sistemit të kthimit të shisheve të plastikes,  qelqit, kanaqeve.

Matoshi ka deklaruar se Inspektorati i MMPH-së gjatë këtij viti ka bërë 790 vizita inspektive në teren, ka shqiptuar qindra gjoba mandatore dhe 85 inicime ne gjykatë.

“Ndotja e ajrit në Kryeqytet dhe në disa komuna tjera është një tjetër problem i madh i trashëguar dhe me të cilin jemi marrë brenda mandatit tim.

Në kuadër të Task Forces ndërministrore për Ajrin, kemi adresuar çështje te rëndësishme, bashkë me Ministritë tjera dhe donatorët kemi marrë veprime konkrete në reduktimin e ndotjes së ajrit, duke përfshirë: 

  • Ndalimin e përdorimit të thëngjillit në Shkolla;
  • Ndalimin e përdorimit të thëngjillit në objektet e institucioneve publike;
  • Instalimin e softverit për paraqitjen e të dhënave ne kohe reale mbi ndotjen e ajrit, me përkrahjen e BE-së;
  • Vendosjen e monitorëve në Prishtinë, përmes projektet të JICA-s;
  • Ndërrimi i filtrave tek TC KOSOVA A, 78 milion euro- BE;
  • U.A për matjen e gazrave te veturave- nga muaji qershor MI ka filluar fazën testuese të implementimit;
  • Ndalimi i dhënies së thëngjillit falas për punëtorët e KEK
  • MCC- Rrjeti i monitorimit, softveri i përhershëm;
  • Ligji për ajrin është miratuar në qeveri, tani ne kuvend;
  •  Qeveria e Kosovës ka aprovuar Planin e veprimit për cilësinë e ajrit 2018-2020”, tha thënë Matoshi.

 Ministri Matoshi ka folur edhe për fushën e ndërtimit dhe planifikimit të cilat po ashtu bien në domenin e MMPH-së.

“Gjatë mandatit tim si Ministër i MMPH-së, është miratuar ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, e me pas kemi nxjerrë udhëzimet administrative në fushën e legalizimit, ku përmes këtyre udhëzimeve pritet të trajtohen rreth 352 mijë ndërtime pa leje.

Po ashtu jemi ne fazën e hartimit të hartës zonale të Kosovës si njëri nder dokumentet më të rëndësishme në fushën e planifikimit hapësinor ne vendin tonë”, ka thënë Matoshi.

Ministri Matoshi ka thënë po ashtu se në fushën e kadastrit ka  nxjerrë  11 udhëzime administrative të cilat sipas tij  shënojnë një progres mjaft të madh në ofrimin e shërbimeve kadastrale për qytetarët si dhe standardizimin e çmimeve të shërbimeve për qytetarët.

Ministri Matoshi ka deklaruar po ashtu se kanë përkrahur komunat e Kosovës, me projekte të shumta duke nënshkruar 50 memorandume të bashkëpunimit për financimin e projekteve në fushën e mjedisit.

Ai ka përmendur edhe anëtarësimin e Kosovës në Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe Resurseve Natyrore (IUCN)

Tutje Matoshi ka thënë se në takimet që ka pasur me udhëheqës të mekanizmave ndërkombëtar në shumë konferenca ndërkombëtare  e takime  bilaterale ka përsëritur kërkesën që Kosova të këtë çasje ne fondet globale te mjedisit.

Ai ka falënderuar për  përkrahjen e vazhdueshme që po japin në fushën e mjedisit, donatorët ndërkombëtar si: MCC, BE, JICA, UNDP, GIZ, BB, UN-HABITAT, Qeverinë Zvicerane,  Franceze, Suedeze etj.

“Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm, kemi ende shumë sfida para nesh, duke u nisur nga buxheti i vogël i dedikuar për mjedis dhe për këtë kemi kërkuar që të krijohet eko fondi si dhe krijimi i policë së gjelbër e cila do të mundësonte zbatimin e legjislacionit mjedisor”, ka përfunduar Ministri Matoshi.

Për kontributin e dhënë në MMPH, në mbrojtjen e Mjedisit, Matoshi ka ndarë një mirënjohje për Nezakete Hakaj, udhëheqësen e divizionit për mbrojtjen e mjedisit, e sapo pensionuar.

Fare në fund ai ka falënderuar mediat për bashkëpunimin dhe interesimin që kanë pasur për çështjet e mjedisit duke adresuar shumë çështje me rendësi, probleme e sfida me të cilat po përballemi si shtet.

 

 

Foto Galeria

Kthehu