Instituti për planifikim hapësinor

 

 

 

 

Themelimi

Instituti për planifikim hapësinor është pjesë përbërëse e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe së bashku me Departamentin e Planifikimit Hapësinor përbëjnë sektorin e planifikimit hapësinor në Qeverinë e Kosovës. Është themeluar në Tetor të vitit 2003 me akt të veçantë të nënshkruar nga ish Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Aktualisht Instituti vepron në bazë të Udhëzimit Administrativ nga MMPH Nr. 03/2017 mbi fushëveprimin dhe përgjegjësit e Institutit për Planifikim Hapësinor.

Që nga themelimi e deri në ditët e sotme, ajo që e karakterizon Institutin është puna grupore profesionale, e cila në të shumtën e rasteve rezulton me përfundimin e punëve në kohë dhe me sukses të plotë.

 

Veprimtaria

Veprimtaria kryesore e këtij institucioni është hartimi i Planit Hapësinor dhe Hartës Zonale të Kosovës si dhe përgatitja dhe hartimi i planeve të zonave me përmbajtje të veçantë dhe me interes për shtetin. Veprimtari tjetër e rëndësishme është ngritja e kapaciteteve humane dhe ndihma teknike profesionale e punëtorëve të nivelit komunal, në përgatitjen dhe hartimin e planeve komunale.

Prej vitit 2003 e deri më sot, janë prodhuar disa dokumente të rëndësishme dhe të nevojshme për sektorin e planifikimit hapësinor në veçanti dhe në përgjithësi dokumente të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës. Të gjitha materialet dhe dokumentet e prodhuara janë të përmbledhura në formën e dokumenteve zyrtare dhe janë pjesë përbërëse e faqes sonë të internetit.

Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me sektorët e rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, janë hartuar një set i tërë i raporteve sektoriale, të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimit hapësinor sektorial. Një grup i veçantë i punëtorëve të Institutit, kanë punuar në hartimin e analizave hapësinore për komunat e Suharekës, Vushtrrisë, Dragashit, Kaçanikut, Malishevës, Kamenicës dhe Obiliqit, dokumente këto që për nga përmbajtja janë ndihmë e madhe e komunave për përfundimin e Planeve Zhvillimor Komunale. Një punë e rëndësishme e Institutit, ka qenë hulumtimi që është bërë në fushën e vendbanimeve joformale. Për këtë qëllim, dhe në bazë të rezultateve të hulumtimit të zhvilluar në disa komuna, është nxjerrë udhëzuesi për trajtimin e këtyre vendbanimeve. Një pjesë e stafit ka qenë i kyçur në procesin e hartimit të Planit Zhvillimor për Komunën e Junikut, që si aktivitet është konsideruar si risi në kuadër të bashkëpunimit me organet kompetente komunale, të cilin do të tentojmë ta shtrijmë dhe ta aplikojmë edhe për komunat tjera të interesuara.

Kohë më parë kemi përfunduar punën në “Indikatorët për Planifikim Hapësinor në Kosovë”, që në fakt është një Listë-kornizë në të cilën janë trajtuar rreth 50 indikatorë themelor për planifikim hapësinor dhe urban, me qëllim të krijimit të një instrumenti bazik shumë të nevojshëm për zhvillimin dhe vlerësimin e vet procesit të planifikimit hapësinor. Dokumenti në fjalë do të jetë në shërbim të politikë-bërësve, planerëve dhe profesionistëve tjerë nga niveli qendror e lokal, që vendim-marrjen e tyre ta mbështesin në fakte (dëshmi) si për: Vlerësim të gjendjes së zhvillimit aktual hapësinor; Hartim të strategjisë së zhvillimit të ardhshëm hapësinor; dhe për Monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e zbatimit: të zhvillimeve nëpër plane si dhe të vet instrumenteve të planifikimit hapësinor/urban.

Duhet theksuar se kjo Listë / kornizë, është një dokument i tipit të hapur, që nënkupton domosdoshmërinë për përditësim - plotësim të kohëpaskohshëm: të informatave - rezultateve të reja të fituara për indikatorët e trajtuar dhe të indikatorëve tjerë shtesë që mund të trajtohen në të ardhmen.

 

Dokumentet e aprovuara në Kuvendin e Kosovës

Plani Hapësinor i Kosovës 2010-20120 – është dokumenti kryesor i sektorit të planifikimit hapësinor i cili është hartuar në bashkëpunim me të gjitha sektorët e rëndësishme të Qeverisë së Kosovës. Në hartimin e tij kanë marrë pjesë edhe profesionist të dalluar të fushës, institucionet e ndryshme shkencore, universiteti, organizata të ndryshme joqeveritare, përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë të nivelit lokal dhe pa dyshim, shumë e rëndësishme ka qenë ndihma dhe përkrahja që është ofruar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Dokumenti i aprovuar në Qershor 2011 është versioni plotësuar, i cili për bazë kishte dokumentin e aprovuar në parim në Kuvendin e Kosovës (Janar, 2007). Një veprim i tillë ishte i domosdoshëm, për shkak të ndryshimeve të atëhershme politike të cilat sollën edhe ndryshime tjera hapësinore. Sa i përket përmbajtjes, zhvillimi i ofruar policentrik është garant i zhvillimit të barabartë të të gjitha rajoneve, komunave dhe zonave rurale në Kosovë. Me shumë kujdes janë shfrytëzuar potencialet e shumta dhe karakteristike për rajonet, që paraqesin bazë të mirë për zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë vendit.

Plani Hapësinor i Zonës me Interes të Veçantë “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës Kleçkë dhe Divjakë” – është dokumenti i parë hapësinor që trajton temën e luftës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Pa dyshim se një projekt i tillë ka qenë shumë sfidues për të gjithë ne – për Qeverinë që kanë bërë shpalljen e zonës me interes të veçantë, për Ministrinë tonë që ka qenë bartëse e procesit për hartimin e dokumentit, ashtu dhe për Institutin për Planifikim Hapësinor si hartues të dokumentit.

Hapësira për të cilën kemi hartuar planin hapësinor është e njohur padyshim për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është e njohur për aktivitetet që janë zhvilluar gjatë luftës së fundit, për sakrificën e popullit të kësaj ane, që edhe përkundër varfërisë së tyre të madhe – kanë ofruar ndihmë dhe strehim për ushtarët e UÇK-së dhe për popullatën e shpërngulur nga trevat tjera të Kosovës. Kjo zonë ishte gjithashtu selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe Malet e Berishës ishin vendi ku nisën rreshtimet ushtarake dhe trajnimet e para për ofensivat kundër okupatorit. U caktuan veprimet e ushtrisë më të re në botë, u organizuan paraqitjet e para publike të përfaqësuesve të ushtrisë dhe u mbajtën takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të komunitetit të atëhershëm ndërkombëtar. Zhvillimet e ofruara në dokument garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Gjithëpërfshirja, zhvillimi i baraspeshuar dhe i qëndrueshëm, promovimi i transparencës së plotë në planifikim, janë disa nga parimet që dëshmojnë se dokumenti është në përputhje me standardet kryesore që dalin nga ligjet e vendit dhe rregulloret evropiane.

Plani Hapësinor i Zonës me Interes të Veçantë Ekonomik “Fusha e Mihjes së Re” – është dokumenti kryesor hapësinor për sektorin energjetik, që siguron kornizën bazë në mbështetje të projekteve të ndryshme edhe nga sektorët tjerë qeveritar. Me këtë dokument Qeveria e Kosovës në mënyrë të qëndrueshme orienton kahen e zhvillimit hapësinor energjetik duke respektuar në maksimum mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimit racional të resurseve natyrore. Zhvillimi i ofruar ekonomik, nëpërmjet zhvillimit të sektorit energjetik, duke siguruar prodhim dhe furnizim të rregullt të energjisë elektrike, është garant edhe për zhvillim të barabartë social dhe mjedisor në të gjitha komunat pjesëmarrëse të zonës.

Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e vështirë ekonomike dhe problemet e shumta që po ballafaqohet vendi ynë, jemi të sigurt që dokumenti i ofruar i zhvillimit të ardhshëm hapësinor të zonës, është kontribut i rëndësishëm në konsolidimin e situatës energjetike në Kosovë. Prandaj, është shumë e rëndësishme të kuptohet se për realizimin e këtij Plani, do të duhet gjithsesi ndihma e të gjithëve, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në zbutjen e problemit energjetik dhe në ndërtimin e mjedisit më kualitativ jetësorë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Planit Hapësinor për Monumentin e Natyrës me Rëndësi të Veçantë “Ujëvarat  e Mirushes” – është dokumenti kryesor i zhvillimit hapësinor të zonës, në të cilin me shumë kujdes janë trajtuar të gjitha çështjet që ndërlidhen me mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave që ka zona në përgjithësi. Dokumenti është hartuar nga Instituti për Planifikim Hapësinor nën përkrahjen e përfaqësuesve të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë dhe me kontributin shumë të çmueshëm të përfaqësuesve të komunave pjesëmarrëse në zonë. Në këtë drejtim, ndihmë të konsiderueshme kanë dhënë edhe profesionistë të fushës, përfaqësues të universiteteve, grupe të ndryshme të interesit duke përfshirë edhe kontributin e qytetarëve dhe shoqërisë civile.

Me kujdes të shtuar janë bërë hulumtimet e nevojshme për gjendjen ekzistuese të zonës, si rezultat i të cilës, në bashkëpunim me të gjithë pjesëmarrësit është vendosur për vizionin, si parakusht për të përfunduar fazën më të rëndësishme të procesit – Strategjinë e zhvillimit të ardhshëm hapësinor të zonës. Zhvillimet e ofruara janë në harmoni të plotë me normat dhe standardet e lejuara dhe do të ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e situatës aktuale mjedisore. Në mes tjerash, rëndësi e veçantë i është kushtuar zhvillimit të turizmit dhe komponentëve që ndërlidhen me këtë fushë të rëndësishme ekonomike, nga e cila padyshim do të kemi përfitim të gjithë.

Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” – Në bashkëpunim me sektorët e rëndësishëm të Qeverisë, përmes Grupit Punues Ndërministror kemi përfunduar dokumentin që ka të bëjë me mbrojtjen dhe zhvillimin e zonës më të bukur natyrore të Kosovës, i cili përfundimisht do të ndikojë në rritjen e kontrollit të zhvillimeve dhe ndërprerjen e keqtrajtimit të vlerave të dëshmuara natyrore.

Plani Hapësinor për Zonën me Interes të Veçantë “Beteja e Koshares” – Përmbajtja e dokumentit kryesisht ndërlidhet me ruajtjen dhe promovimin e vlerave të luftës, përmes të cilave do të mbetet e freskët sakrifica dhe lufta e popullit tonë për liri. Zhvillimi i ardhshëm hapësinor i zonës së Koshares fillon dhe mbaron në pikën qendrore - varrezat e dëshmorëve, që njëherit paraqesin përmbajtjen më të rëndësishme të të gjithë zonës. Aty qëndron themeli i të gjitha zhvillimeve dhe aty gërshetohen rrugët që e lidhin vet zonën me përmbajtjet dhe zhvillimet hapësinore përreth saj. Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Zona e Koshares me të gjitha përmbajtjet që shtrihen përreth saj, mund të shndërrohet në një atraksion turistik të qëndrueshëm, me ndikim në zhvillimin e të gjithë rajonit, duke i përfshirë edhe përmbajtjet që janë në anën tjetër të kufirit.

 

Dokumentet në proces

Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” – Zona në fjalë është njëra nga pasuritë më të çmuara natyrore që ka Kosova, vlerat e të cilit duke përfshirë llojllojshmërinë biologjike dhe peisazhore i tejkalojnë kufijtë e vendit tonë. Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së kësaj bukurie dhe trashëgimie natyrore, kemi ofruar para jush dokumentin e planit hapësinor, në të cilin janë dhënë orientimet themelore në drejtim të mbrojtjes dhe shfrytëzimit racional të Parkut. Jemi të sigurt se rekomandimet dhe zhvillimet e propozuara do të ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e kësaj zone, duke e bërë të mundur përjetimin e saj nga ne dhe nga gjeneratat që do të vijnë pas.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor, ka përfunduar procesin e hartimit të Planit Hapësinor të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Një proces transparent, gjatë të cilit janë organizuar një mori takimesh me pjesëmarrës të fushave, profesioneve dhe strukturave të ndryshme. Bashkëpunim i rëndësishëm është realizuar në takimet me Grupin Punues Ndërministror, si dhe me anëtarë të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës. Pjesë e veçantë e kësaj pune kanë qenë takimet me autoritetet e komunave pjesëmarrëse dhe komunitetin që jeton në brendinë e Parkut. Kontributi i të gjithëve ka qenë shumë i vlefshëm, janë mbledhë informata të shumta, janë marrë sugjerime dhe vërejtje të rëndësishme, me ndihmën e të cilave kemi arritur të përfundojmë këtë dokument shumë të rëndësishëm për Parkun tonë Kombëtar.

Aktualisht dokumenti është proceduar për aprovim në Qeverinë e Kosovës.

Planit Hapësinor për Zonën e Veçantë “Hidrocentrali Zhur” - Paralelisht me aktivitetet e lartpërmendura është punuar në përkufizimin e draftit të parë të Planit Hapësinor për, aktualisht hidrocentralin më të madh të Kosovës.  Për shkak të ndikimit të tij edhe jashtë kufirit të vendit, momentalisht, procesi për përfundimin e dokumentit është stopuar, deri në krijimin e kushteve më të favorshme ekonomike dhe politike.

 

Bashkëpunimi

Karakteristikë e punës së deritashme të Institutit ka qenë bashkëpunimi dhe ndihma reciproke me të gjithë pjesëmarrësit në proces. Bashkëpunimi është i të gjitha niveleve, duke filluar nga organet më të larta qeveritare, ato komunale e deri te organizatat e huaja dhe vendore, profesionistë dhe individë të pavarur, me të cilët ky bashkëpunim është plotësuar edhe me diskutime të shpeshta publike.

Ndihmë e konsiderueshme në këto aktivitetet është dhënë nga ana e UN-Habitat-it përmes IHS-it – Institutit për Banim dhe Studime të Zhvillimit Urban - Holandë, e cila ndihmë më së shumti konsistoi në ngritjen kapaciteteve profesionale. Një bashkëpunim i veçantë ka qenë me projektin ALUP (Agriculture land Utilitasion Project), i cili ka ndikuar në ngritjen reciproke të kapaciteteve rreth menaxhimit dhe planifikimit rural. Në mënyrë të ngjashme kemi bashkëpunuar edhe me UNDP, SIDA, CHwB, AGRIFOR (Institucione ndërkombëtarë), me theks të veçantë në gjetjen e mundësive për ngritjen dhe zhvillimin institucional në fushën e planifikimit hapësinor.

Gjatë kësaj periudhe ndër bashkëpunimet e rëndësishme ka qenë edhe puna deri më tash joformale, me studentë të fushave të ndryshme. Kemi arritur që për një numër të konsiderueshëm të studentëve të ofrojmë hapësirë dhe informata të mjaftueshme për kryerjen e pjesës praktike të studimeve universitare.

Momentalisht njëri ndër aktivitetet e rëndësishme është bashkëpunimi me disa projekte të financuara nga Komisioni Evropian dhe donatorë tjerë, me qëllimin kryesor ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve humane dhe teknike në IPH, nga të cilët më të rëndësishme janë:

- Vazhdimi i përkrahjes për shfrytëzimin e tokave (EULUP) – në kuadër të projektit MMPH përkatësisht IPH ka qenë njëri ndër përfituesit kryesor. Projekti kryesisht merrej me ngritjen e kapaciteteve humane dhe teknike të nevojshme, që do të kenë ndikim në hartimin politikave nacionale dhe implementimin e tyre, të ndërlidhura kryesisht me planifikimin hapësinor të zonave rurale, mbrojtjen e tokave bujqësore dhe mbrojtjen e mjedisit. Në kuadër të projektit janë organizuar trajnime bazike dhe të avancuara në GIS, në të cilat përpos IPH-së kanë përfituar edhe MBPZHR dhe stafi i pilot komunave.

- Promovimi i diversitetit kulturor në Kosovë (PCDK) – në kuadër të projektit MMPH përkatësisht IPH është njëri ndër përfituesit kryesor. Qëllimi kryesor i projektit është promovimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Njëri nga synimet e përbashkëta do të jetë prezantimi sa më real i trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo po realizohet përmes vizitave të ndryshme studimore dhe organizimit të trajnimeve të nevojshme, në të cilat pjesëmarrësit duke përfshirë edhe IPH-në, po marrin përvoja nga më të ndryshmet,.

- Programi "Integrimi i trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor dhe urban të nivelit qendror dhe lokal në Kosovë" – Përmes këtij programi të ndërmarrë në partneritet me CHwB-në, është trajtuar çështja e trashëgimisë kulturore, dhe përfshirja e saj në planet hapësinore të niveleve të ndryshme. Në mënyrë më specifike analiza dhe hulumtimi është realizuar në dokumentet përkatëse hapësinore të disa komunave tipike të Kosovës. Qëllimi kryesor i programit ka qenë që, përmes bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante, të definojmë hapat e nevojshëm për trajtimin dhe integrimin e drejtë të trashëgimisë kulturore në planifikimin hapësinor në Kosovë.

- Aktualisht në kuadër të bashkëpunimit me donatorë – duhet të veçohet bashkëpunimi me GIZ-in në përkrahjen që po u epet disa komunave të Kosovës në ndërtimin e bazës së të dhënave dhe hartimin e hartave zonale komunale. Në këtë drejtim në mënyrë indirekte është duke u përkrahur edhe niveli qendror i planifikimit hapësinor. Konkretisht Instituti përpos ngritjes së kapaciteteve humane, në aspektin teknik ka përfituar tri licenca (desktop) të platformës së GISit, dy nga të cilat janë ArcGIS themelor dhe një tjetër ArcGIS të avancuar.

 

Pajisja teknike dhe baza e shënimeve

Pajisja teknike që disponon Instituti është e nivelit të konsiderueshëm dhe me plotësimin e adekuat të nevojshëm mund ti përgjigjet kërkesave të kohës. Në kuadër të Institutit vepron Divizioni profesional i GIS-it, në kuadër të të cilit punojnë tashmë profesionistë të përgatitur dhe të gatshëm që të krijojnë të dhëna dhe analiza të nevojshme. Realizimi i projekteve të deritashme ka ndikuar në krijimin e një baze të mirë të shënimeve, të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimeve hapësinore në të gjithë territorin e Kosovës.


Objektivi

Objektivi kryesor i Institutit për Planifikim Hapësinor është – ngritja e institucionit në nivel në të cilin do të jetë i gatshëm, në njërën anë të ofrojë shërbime për Qeverinë e Kosovës dhe në anën tjetër, nga angazhimet profesionale, të krijoj të hyra të mjaftueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve të veta.

Në bashkëpunim me MASHT-in dhe Universitetin e Prishtinës do të përpiqemi të gjejmë formën e duhur për  bashkëpunim të qëndrueshëm, nga i cili do të përfitojnë më së shumti studentët, për të cilët IPH momentalisht po shfrytëzohet si adresë kryesore e mësimit të përvojave praktike në fushën e planifikimit hapësinor.

 

Në fund

Edhe përkundër rezultateve të përmendura më sipër, jemi të vetëdijshëm për problemet dhe mangësitë në fushën e planifikimit dhe menaxhimit urban. Ka ende mungesë të kapaciteteve të nevojshme humane dhe teknike në të dy nivelet e qeverisjes. Situata në terren është e ndërlikuar në disa raste edhe kaotike, në të cilën është shumë e vështirë të ndikohet. Një pjesë e konsiderueshme e zhvillimeve në hapësirë, nuk janë në përputhje me rekomandimet e dokumenteve që nxirren nga vet sektori. Për shkak të zbrazëtirave aktuale ligjore, mbikëqyrja dhe implementimi, si njëra ndër fazat më të rëndësishme të procesit të planifikimit hapësinor, ende nuk janë në nivelin e duhur.

Duke i pasur këto parasysh, mendojmë se është momenti i fundit që bashkërisht të vendosim dhe të veprojmë në ndryshimin e kësaj situate. Përgjegjësia na takon të gjithëve, duke filluar nga NE institucionet qendrore, të cilat duhet të insistojnë në përforcimin e infrastrukturës ligjore dhe përcaktimin e qartë të pozicionit të të gjitha institucioneve përgjegjëse. Një përgjegjësi e madhe i takon edhe profesionistëve që me vetëdije ose pa të, shkelim rregullat e ndërtimit në emër të interesit material. Përgjegjës janë edhe qytetarët, një pjesë e të cilëve të ndodhur në situatë të vështirë ekonomike në njërën anë, dhe në anën tjetër para presionit të ndërmarrësve, me lehtësi po heqin dorë nga respektimi i ligjeve dhe rregullave në fuqi. Këtë situatë, edhe pse nuk është e lehtë mund ta ndryshojmë! - duhet të kemi më shumë kurajë, duhet të ndikojmë në raport me përgjegjësitë, duhet të fillojmë të ndërtojmë ndjenjën për “të përbashkëtën”, dhe çka është më e rëndësishmja - duhet tu japim më shumë hapësirë profesionistëve.

 

Luan NUSHI, drejtor