RAPORTO

veprime ilegale

Franca përkrahë Kosovën në trajtimin e ujërave të zeza dhe reduktimin e ndotjes së ajrit

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku më sekretarin e ministrisë dhe këshilltarët politik kanë pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin kanë biseduar për projektet e përbashkët dhe mundësitë për bashkëpunime të reja në fushën e mjedisit.

Ministri Matoshi ka prezantuar angazhimet e tij në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në vend, duke përfshirë reduktimin e ndotjes së ajrit, trajtimin e ujerave të zeza, fushatën e pastrimit të Kosovës, udhëzimin administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore për të gjitha ata që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara apo djegin ato etj.

Matoshi ka folur edhe për projektin e ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë duke vlerësuar lartë bashkëpunimin me qeverinë franceze për realizimin e këtij projekti, me ç ‘rast theksoi që krahas ndërtimit të impiantit është shumë e nevojshme që të ndërtohen edhe kolektorët në kryeqytet.
Nga ana tjetër ambasadori francez, Didier Chabert pasi përgëzoi ministrin për angazhimin e tij në udhëheqje të kësaj ministrie, shprehi përkushtimin e tij në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në vendin tonë.

Ambasadori francez u shpreh i kënaqur me angazhimin e palës kosovare për realizimin e projektit për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe ofroi gatishmërinë e tij që të përkrahë ministrinë e mjedisit edhe në fushën e ajrit, përafrimin  e legjislacionit me BE-në, ndërtimin e ujëmbledhësve të ri të Kosovë etj.

Duke folur për cilësinë e ajrit në Kosovë, ambasadori ka përgëzuar ministrin për marrjen e vendimeve dhe masave për reduktimin e ndotjes së ajrit, qëndrimin e ministrisë kundër importimit të veturave më të vjetra së 10 vite, me ç ‘rast theksoi se Qeveria Franceze do të investoje në Kosovë dhe në fushën e ajrit.

Në fund ministri Matoshi kërkoi nga ambasadori përkrahjen e shtetit francez për anëtarësimin e Kosovës në organizatat dhe fondet globale në fushën e mjediset, për të cilën kërkesë ai mori premtimin e ambasadorit që shteti që ai përfaqëson do të angazhohet në këtë drejtim.