RAPORTO

veprime ilegale

Kosova pjesë e Fondit Global të Mjedisit

Në margjinat e Asamblesë së  6-të të Fondit  Global të Mjedisit (GEF) e cila po  mbahet në Da Nang të Vietnamit, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj në emër të Republikës së Kosovës mbajti një fjalë rasti para homologëve të saj dhe  përfaqësuesve të 183 shteteve anëtare.

Ministrja Reshitaj shprehu mirënjohjen e saj dhe të Kosovës  për shtetin e Vietnamit, mikpritësin e këtij takimi, që ka përfshirë Kosovën në Asamblenë e Gjashtë të Global Environment Facility (GEF) dhe i ka dhënë mundësinë që të jetë përkrah dhe e barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse.

“Përfshirja e Kosovës në këtë Asamble, pavarësisht që Kosova nuk është pjesë e UN-it dhe nënshkruese e konventave ndërkombëtare që lidhen me mjedisin, e rrumbullakëson punën tonë, na ndihmon në përmirësimin e gjendjes së mjedisit, një shqetësim yni i përbashkët dhe njëkohësisht na angazhon në kuadër të procesit të integrimit evropian në ndërmarrjen e hapave konkret në përmbushjen e standardeve” theksoi ministrja Reshitaj.

“Si shtet i ri, një rendësi të veçantë po i kushtojmë menaxhimit të mbeturinave,  përmirësimit, ujërave, ruajtjes së biodiversitetit, mbrojtjes së ajrit nga ndotja, adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike, zvogëlimit të emetimeve dhe zbutjes së ndikimeve nga ndryshimet klimatike si dhe  zbatimit të teknologjive të pastra dhe eko-inovacioneve. Në këtë betejë të rëndësishme për mjedisin, për tokën dhe në përgjithësi për resurset tona, ne kemi nevojë për mbështetje. Me ne në këtë rrugëtim kemi pasur Bashkimin Evropian, pjesë e natyrshme e të cilit presim të bëhemi në një të ardhme të afërt, përmes instrumenteve dhe programeve të ndryshme, megjithëse për një punë të madhe dhe të rëndësishme na duhet mbështetja edhe nga programet dhe instrumentet dhe fondet e Kombeve të Bashkuara ” deklaroi ministrja Reshitaj.

Duke marrë parasysh që  problemet mjedisore nuk njohin kufij fizik ministrja Reshitaj kërkoi që Kosova të këtë qasje ne fondet dhe programet e GEF-it  dhe për të qenë pjesëmarrëse e të gjitha aktiviteteve që organizohen në kuadër të GEF.

 

Vlen të përmendet që GEF mbledh 183 vende të botës dhe është një prej organizatave më të mëdha ndërkombëtare që adreson çështjet e mjedisit në botë, si dhe ndihmon nismat për zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit në vende në zhvillim. GEF ka ofruar mbi 17 miliardë dollarë grante dhe ka financuar projekte në vlerë prej mbi 69 miliardë dollarë në 170 vende të botës.

Asambleja e GEF është një vend ku zyrtarë të lartë të OKB-së marrin pjesë dhe kjo ka ndikim edhe për Kosovën, si pjesëmarrëse për herë të parë në këtë asamble.