RAPORTO

veprime ilegale

MMPH investon rreth 1 milion euro për vitin 2018 në Suharekë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot ka vizituar Komunën e Suharekës, me ç'rast është takuar me kryetarin e Komunës, Bali Muharremaj me të cilin kanë diskutuar për projekte që kanë të bëjë me zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ministri Matoshi dhe kryetari Muharremaj, me këtë rast kanë përuruar fillimin e punimeve të Projektit "Mbrojtja dhe  ruajtja e ambientit hapësinor ne rajonin e Suharekës- Bjeshkët e Sharrit", që financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej 448 mijë e 888 euro.

Gjatë ceremonisë ministri Matoshi tha se projekti për Bjeshkët e Sharrit  ka rëndësi të veçantë për banorët dhe Komunën e Suharekës.

"Kam kënaqësinë të veçantë që sot jam në Suharekë, për të parë fillimin e punimeve në një projekt tejet të rëndësishëm për Ministrinë e Mjedisit por besoj edhe për banorët e Suharekës, por edhe për gjithë qytetarët e Kosovës. Bjeshkët e Sharrit janë pasuri e jona", tha Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi tregoi për rëndësinë që do ketë ky projekt edhe në ruajtjen e florës dhe faunës në Komunën e Suharekës.

" Ministria e Mjedisit ka kënaqësinë që në këtë projekt do  të investoj rreth 500 mijë euro, të cilat përveç që krijojmë mundësi në qasje në Bjeshkët e Sharrit ndikon edhe në ruajtjen e Florës dhe Faunës në këtë pjesë", deklaroi Matoshi.

Sipas ministrit Matoshi ky projekt  do të ofrojë edhe rekreacion dhe do zhvillojë turizmin në këtë zonë.

Matoshi tregoi se Ministria e Mjedisit është duke financuar Komunën e Suharekës edhe në projekte të tjera të cilat arrin vlerën prej rreth 1 milion euro.

Ndërsa kryetari Bali Muharremaj falënderoi ministrin Matoshi për investime të projekteve në Komunën e Suharekës duke përmendur një sërë investimesh në këtë vend.

" Nuk është ky projekti i parë i Ministrisë së Mjedisit, shumë shpejtë brenda pak ditësh fillojmë edhe me shtratin e lumit Toplluha prandaj edhe njëherë shprehu falënderim për ministrin Matoshi për bashkëpunim", deklaroi Muharremaj.

Ministri Matoshi dhe kryetari Muharremaj vizituan nga afër edhe punimet e projekteve tjera që kanë për qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Komunën e Suharekës.