RAPORTO

veprime ilegale

MMPH nis aksionin për rrënimin e objekteve pa leje në zonën e mbrojtur të liqenit të Batllavës

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në zbatim të ligjit mbi ujërat, më qëllim të mbrojtjes së burimeve ujore dhe zonave të mbrojtura, sot ka filluar me aksionin për rrënimin e 48 objekteve  pa leje në afërsi të liqenit të Batllavës.

Gjatë këtij aksioni i cili po vazhdon edhe me tej, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi deklaroi para mediave se ky aksion është dy ditor dhe ka për qëllim që të ruajë  cilësinë e resurseve ujore në vend. Ai tutje tha se nuk do bëjmë asnjë lëshim dhe të gjitha objektet pa leje ndërtimore do t’i rrënojmë.

“Kjo është zonë e mbrojtur,  këto objekte që janë të vendosura këtu, shumica prej tyre janë në vende të uzurpuara, janë të gjitha pa leje ndërtimore”,  deklaroi u.d Ministri Matoshi, i cili u shpreh i bindur se do të hasë në mirëkuptim nga pronarët e objekteve.

Kryeinspektori i MMPH-së, Halimi  duke folur rreth aksionit ka ftuar edhe institucionet tjera përgjegjëse që të jenë pjesë e këtij aksioni dhe kështu të kryejnë përgjegjësitë institucionale që kanë.

Përveç Policisë në aksionin e rrënimit kanë marrë pjesë edhe njësitet e zjarrfikësve të KEK-ut dhe të Komunës se Podujevës.

Edhe një herë ju kujtojmë se para një muaji Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor iu ka dërguar pronarëve vendimet për largimin e objekteve  pa leje ne zonën e parë të Liqenit te Batllavës.