RAPORTO

veprime ilegale

Matoshi e Bahtiri në Mitrovicë, diskutojnë për mbrojtjen e mjedisit

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka vizituar Komunën e Mitrovicës me ç 'rast është takuar me kryetarin Agim Bahtiri me të cilin ka diskutuar për mbrojtjen e mjedisit dhe projektet që MMPH është duke mbështetur në këtë komunë.

Ministri Matoshi së bashku me kryetarin Bahtiri, kanë vizituar edhe Agjencinë për Zhvillim Rajonal Veri, në Mitrovicë (AZHR-veri), me ç 'rast janë takuar me drejtoreshën Rreze Duli.

Pas takimit ministri Matoshi shprehu gatishmërinë të bashkëpunoj me AZHR-të dhe komunat në projekte për mjedisin.

"MMPH-ja ka projekte  të rëndësishme për këtë pjesë të Kosovës. Në Mitrovicë kemi planifikuar rregullimin e lumenjve andaj në këtë vit jemi në trajtimin e dy lumenjve ndërsa vitin  tjetër do jenë edhe të tjerë si, lumi Trepça, Ibri dhe Lushta, që kanë nevojë të mbështeten nga MMPH-ja", tha Matoshi.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri  dhe drejtoresha e AZHR-së, Rreze Duli, falënderuan ministrin Matoshi për mbështetjen që i ka dhënë kësaj komune në projekte që kanë të bëjnë me  mbrojtjen e mjedisit.

Pas këtij takimi Matoshi mbajti një ligjëratë para studentëve të kolegjit IBCM, drejtimi i Mbrojtje dhe Menaxhim i Ambientit.

Ministri Matoshi tha se është i përkushtuar të punojë me të gjithë, duke përfshirë edhe studentët për të përmirësua mjedisin në Kosovë.

“Meqë edhe studioni për mjedis, unë kam arritur të shoh që në ditët e para të punës sime,  por edhe si qytetar i vendit, që ne nuk jemi mirë në mjedis. Andaj së bashku, ne mund të ja dalim për të përmirësuar këtë gjendje sepse qytetarët tanë nuk meritojmë të jetojnë me mbeturina. Një rol të madh për mjedisin e luani edhe ju studentë të kësaj fushe andaj ju lus të jeni aleatët tanë sepse ju e dini sa është i rëndësishëm mjedisi ", deklaroi Matoshi.

Para studentëve, ministri Matoshi foli edhe për projektet e MMPH-së, për trajtimin e ujërave të zeza, rregullimin e shtretërve të lumenjve, task forcën për pastrimin e Kosovës, angazhimet për përmirësimin e ajrit nga ndotja si dhe menaxhimin e mbeturinave.

Matoshi u premtoi studentëve bashkëpunim në fushën e mjedisit duke u ofruar edhe punë praktike dhe lehtësim në qasje në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.