RAPORTO

veprime ilegale

Matoshi në Pejë, ndan 3.8 milionë euro për impiantin e ujërave të zeza

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri kanë vizituar kompaninë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini”, ku u prit nga kryeshefi ekzekutiv, Agron Tigani.

Në konferencën për media pas këtij takimi U.d Ministri Matoshi deklaroi që MMPH sot po i ndan 3.8 milionë euro për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë.

“Është projekti më madhor dhe më i rëndësishëm për qytetarët e rajonit të Pejës dhe është një dëshmi që mjedisi, ambienti i pastër, ujërat e zeza vërtetë po bëhen prioritet i kësaj qeverie dhe shoqërie dhe për këtë kemi kënaqësi të madhe të angazhohemi të gjithë së bashku me kompanitë, komunat dhe të arrijmë në një nivel më të lartë të trajtimit të ujërave të zeza” deklaroi Matoshi.

U.d Ministri Matoshi  falënderoi donatorët KFW – në dhe SECO-n për përkrahjen financiare që po i japin këtij projekti, i cili sipas tij do të zgjidhë një nga problemet më të mëdha që ka komuna e Pejës në fushën e mjedisit.

Ai me tutje theksoi se më nuk do të lejojnë që kanalizimet të derdhen në liqene, ujin e të cilëve qytetarët e përdorin për pije.

“Do të fokusohemi jo vetëm në rajonin e Pejës, por në të gjitha rajonet e Kosovës që të bëjmë trajtimin e duhur të ujërave të zeza përmes impianteve kudo në territorin e Kosovës” përfundoi U.d Ministri Matoshi.

Nga ana tjetër kryetari i KRU “Hidrodrini”, Agron Tigani, theksoi se ndërtimi i kësaj fabrike bëhet në bashkëfinancim me bankën gjermane KFW-në, SECO-n, MMPH-në dhe Kuvendin Komunal të Pejës.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka falënderuar ministrin Matoshi për përkrahjen që është duke i dhënë komunës së Pejës, duke deklaruar se beson që bashkëpunimi do të jetë i frytshëm dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.