RAPORTO

veprime ilegale

Matoshi në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor, kërkon fonde për mjedisin

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, po merrë pjesë në takimin e tretë Ministror për Mjedis dhe Ndryshime Klimatike të Ballkanin Perëndimor, që kësaj radhe po mbahet në Shkup të Maqedonisë Veriore.

Ministri Matoshi në kuadër të këtij takimi të ministrave të Ballkanit Perëndimor, në prezantimin e tij ka prezantuar sfidat me të cilat po ballafaqohet shteti jonë në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike si dhe projektet që jemi duke i realizuar si shtet në këto dy fusha shumë të rëndësishme për të ardhmen e  përbashkët.

“Megjithëse për arsye të njohura dhe kundër vullnetit tonë, ne  ende nuk e kemi nënshkruar Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, Protokollin e Kiotos dhe as  Marrëveshjen e Parisit, por mbetemi të vendosur që politikat tona për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike t’i orientojmë  në përputhje me strategjitë kryesore të Zhvillimit Rajonal të Evropës Juglindore  si dhe përfshirjen e qëllimeve kryesore të identifikuara nga Deklarata Ministrore e Bonit, duke pasur gjithashtu përgjegjësinë globale për t'iu përgjigjur kërkesave të lidhura si një palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë” deklaroi ministri Matoshi .

Matoshi më tej para ministrave prezantoi idenë për krijimin e një programi rajonal për menaxhimin e burimeve ujore që sipas tij është një hap i domosdoshëm duke pasur parasysh efektet e ndryshimeve klimatike në të gjithë rajonin.

“Kjo është arsyeja pse ne mbështesim fuqishëm idenë për të përfshirë menaxhimin e ujërave dhe të pellgjeve ujore në agjendën e rrjetit të Ballkanit Perëndimor, tha ministri Matoshi.

Ministri Matoshi po ashtu kërkoi përkrahjen e vendeve tjera  që shteti ynë të bëhet anëtar i Mekanizmave Financiarë Global që mbështesin sektorin e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, kjo për faktin që sipas tij për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve të Marrëveshjes së Parisit dhe të Deklaratës së Bonit dhe arritjes së objektivit për emetimet zero,  në gjysmën e dytë të këtij shekulli, kërkohet mbështetje e madhe financiare. Për fat të keq, buxheti i Kosovës është i kufizuar dhe nuk mund të mbështesë në masë të mjaftueshme zbatimin e legjislacionit të mjedisit.

Në fund ministri Matoshi vlerësoi se politikat për ndryshimin e klimës dhe mjedisit (dhe fondet e lidhura me to) duhet të zbatohen me qasjen rajonale "pa kufij" (qasja e basenit lumor, qasja e menaxhimit të parkut natyror ndërkufitar, emetimi në ajër dhe ulja e rrezikut në rajon etj).

Gjatë kësaj vizite zyrtare në Shkup ministri Matoshi është pritur në një takim të ngrohtë nga nikoqiri i këtij takimi, ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Sadulla Duraku si dhe zhvilloi takime tjera me homolog nga vendet e Ballkanit Perëndimor.