RAPORTO

veprime ilegale

Matoshi takohet me përfaqësues të Bankës Botërore, në fokus çështjet mjedisore

 

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me këshilltarët politik, sekretarin e MMPH-së, Arben Çitaku dhe kryeshefin e AMMK-së, Ilir Morina, sot kanë takuar përfaqësuesit e Bankës Botërore për Kosovë, me ç ’rast kanë diskutuar për projektin “Zhvillimi i Qëndrueshëm Mjedisor dhe Social”, projekt ky i cili ka tri komponentë, forcimin e menaxhimit mjedisor dhe social, menaxhimin e deponive të kontaminuar të trashëguara dhe promovimin e industrisë së gjelbër.

 

Të pranishëm në këtë takim, ishin drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marko Mantovanelli, specialistja  e  Lartë Mjedisore TTL, Qing Wang, specialisti i Zhvillimit të Lartë Social TTL, Satoshi Ishihara dhe specialistja për Menaxhimin e Burimeve Ujore, CO TTL, Trandelina Baraku.

 

Gjatë këtij takimi, u. d ministri Matoshi, tha se projektet që kanë për qëllim mjedisin në Kosovë, janë të domosdoshme për përmirësimin e gjendjes aktuale në vend.

 

“ Si Ministri e Mjedisit kemi tema të rëndësishme për mjedisin dhe vendin dhe kemi nevojë për mbështetje të Bankës Botërore. Jemi të përkushtuar që bashkë me ju dhe mbështetësit tjerë të ministrisë, të bëjmë diçka të mirë që të përmirësojmë gjendjen në mjedis në vend”, tha Matoshi.

 

Ndërsa menaxheri i Zyrës për Kosovë nga Banka Botërore, Marko Mantovanelli gjatë këtij takimi tha se projekti ka për qëllim tri komponente, në mesin e tyre edhe identifikimin e vendeve të kontaminuar që janë trashëguar nga e kaluara.

 

“Ideja e këtij projekti është që të mbështetet pjesa e menaxhimit social dhe mjedisor. E dyta është të listojmë disa prej çështjeve të kontaminimit që kanë mbetur nga e kaluara, pra ndotjet, minierat, jo vetëm të KEK-ut por në lokacione të ndryshme industriale. Komponenti i tretë është stimulimi për të ardhmen për praktika të gjelbra në sektorin industrial”, tha Mantovanelli.

 

Gjatë këtij takimi u diskutuar edhe për nevojën e trajtimit të ujërave acidike, deponive të materieve të rrezikshme, investime për trajtimin e metaleve të rënda, trajtimin e substancave organike në zonën e KEK-ut dhe deponitë dhe përmirësimin e monitorimin e ujërave nëntokësore.