RAPORTO

veprime ilegale

Matoshi takon Haskukën, ndan 50 mijë euro për ndërtimin e deponisë inerte në Prizren

Ushtruesi i detyrës së ministrit të mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi, ka vizituar sot komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune Mytaher Haskuka.

Gjatë këtij takimi Matoshi e Haskuka kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për realizimin e projektit “Ndërtimi i Deponisë Komunale në Regjionin e Prizrenit”, projekt ky që kap vlerën prej 50,000.00 € në vitin fiskal 2018 dhe që financohet nga MMPH.

Në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi u.d Ministri Matoshi ka vlerësuar se ky projekt do të rregullojë një nga problemet që ka komuna e Prizrenit sa i përket fushës së mjedisit, atë të trajtimit të mbetjeve të ngurta.

“Ndërtimi i kësaj deponie që do të fillojë këtë vit dhe do të vazhdojë dhe vitin që vjen me përkrahjen e fondeve të IPA-S do të mbledh shumë mbeturina te deponive ilegale që janë krijuar nga materialet e ngurta përgjatë rrugëve e duke zënë edhe tokat bujqësore” deklaroi Matoshi.

Matoshi po ashtu deklaroi që MMPH këtë vit në Prizren po financon edhe këto projekte:  Sistemi i ujerave te zeza dhe projekti i përmirësimit infra struktural në lumin “Bistrica” në Prizren në vlerë prej, 2,225,193.00€, ndërtimi i gyp sjellësit për rrugën “Janina” dhe “Nënë Tereza” – Prizren në vlerë prej 205,682€, etj.

Nga ana tjetër kryetari i komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka ka falënderuar u.d ministrin Matoshi për përkrahjen që po i jep komunës së Prizrenit në fushën e mjedisit, duke theksuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe në të ardhmen për problemet e përbashkëta që kemi, duke përfshirë edhe deponinë e Landovicës.

Pas kësaj ceremonie Matoshi e Haskuka iu bashkangjiten  aktiviteteve që u  mbajtën   në Prizren me rastin e javës së lëvizshmërisë pa makina, me ç ‘rast bënë thirrje që qytetaret të përdorin më shumë transportin urban dhe mjetet që janë më miqësore me mjedisin.