RAPORTO

veprime ilegale

Ministri Matoshi dhe kryetari Tahiri së bashku në aksionin për pastrimin e Vushtrrisë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka vizituar Komunën e Vushtrrisë me ç 'rast së bashku me kryetarin Xhafer Tahiri, kanë marrë pjesë në aksionin "Ta pastrojmë Kosovën".

Ministri Matoshi dhe kryetari Tahiri së bashku me aktivistë dhe qytetarë, kanë filluar aksionin në njërën nga deponitë më të mëdha ilegale, tek varrezat e vjetra në Vushtrri.

Gjatë këtij aksioni, ministri Matoshi tha se e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj është më e sigurt pa mbeturina.

"Jemi shumë të lumtur, që si në Vushtrri por edhe komunat e tjera, qytetarët tashmë kanë ndarë mendjen të jetojnë pa mbeturina. Në kuadër të kësaj, ne si Ministri kemi nënshkruar një marrëveshje me GIZ-in andaj zotohemi që do t'i investojmë edhe 3. 5 milion euro të tjera në menaxhimin e mbeturinave, kryesisht për komunat e Kosovës që do të jenë grante për ta”, deklaroi Matoshi.

Matoshi tregoi se po konsolidohet një grant prej 20 milion euro për menaxhimin e mbeturinave në gjithë komunat e Kosovës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri falënderoi ministrin Matoshi ndërsa tha se komuna që ai drejton ka bërë një sërë reformash për sa i takon menaxhimit të mbeturinave.

"Sot jemi në një aksion të përbashkët për të dhënë edhe një vetëdijesim dhe shtytje më të madhe mbrojtjes së ambientit", tha Tahiri.

Ndërkaq Luan Hasanaj nga organizata "Let's do it Kosova", tha se aksioneve për pastrimin e vendit po i bashkohen të gjithë akterët e vendit.

"Është kënaqësi të jemi në një organizim të tillë ku jemi bërë të gjithë bashkë, në radhë të parë për të përçuar një mesazh se Kosova po pastrohet dhe për këtë po angazhohemi akter të ndryshëm", deklaroi Hasanaj.

Aksioni për pastrimin e vendit ka filluar më 15 shtator për të përfunduar më 15 dhjetor 2018.