RAPORTO

veprime ilegale

Ministri Matoshi priti në takim ambasadorin slloven Bojan Bertoncelj

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka pritur në takim zyrtar ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj, me të cilin ka diskutuar për fillimin e bashkëpunimit në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, me theks të veçantë trajtimin e ujërave të zeza.

U. d ministri Matoshi, ka prezantuar prioritetet e tija në udhëheqjen e MMPH-së, duke përmendur kështu, menaxhimin e duhur të mbeturinave, përmirësimin e gjendjes së lumenjve, rregullimin e shtretërve të lumenjve,  mbrojtjen e burimeve ujore si dhe krijimin e planifikimit  të duhur hapësinor.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi ka kërkuar nga ambasadori slloven Bojan Bertoncelj mbështetje për realizimin e projekteve të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë.

“Si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, jemi të përkushtuar dhe kemi prioritet çështjen e mjedisit në Kosovë. Mjedisi tashmë është edhe objektiv nacional i Qeverisë së Kosovës, andaj në këtë aspekt ne kemi nevojë për mbështetje edhe nga vendet fqinje siç është Sllovenia me theks të veçantë në trajtimin e ujërave të zeza”, tha Matoshi.

Nga ana tjetër ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj, ka ofruar bashkëpunimin dhe përkrahjen e shtetit slloven për përmirësimin e gjendjes së mjedisit në vend si dhe ka shprehur gatishmërinë për përkrahje të projekteve mjedisore.

Ambasadori slloven, Bertoncelj ka përgëzuar u. d ministrin Matoshi për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili aksion ka filluar në tërë territorin e vendit më 15 shtator si dhe aksionet e ditëve të fundit në Batllavë, që kanë për qëllim mbrojtjen e resurseve ujore.

Matoshi dhe ambasadori Slloven kanë rënë dakord që të thellojnë bashkëpunimin në fushën mjedisore.