RAPORTO

veprime ilegale

Pritje shtetërore për ministren Reshitaj në Vietnam

Me ftesë të veçantë të Qeverisë së Vietnamit dhe të Fondit Global të Mjedisit (Global Environment Facility – GEF),  Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj po merr pjesë në Asamblenë e 6-të të GEF-it, që po mbahet këto ditë në Da Nang të Vietnamit. Në margjina të Asamblesë së GEF-it, Ministrja Reshitaj është pritur në një takim nga Kryeministri i Vietnamit,  Nguyễn Xuân Phúc, i cili është edhe takimi i parë shtetëror i një delegacioni kosovar në shtetin e Veitnamit, qeveria e të cilit ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë takim, ministrja Reshitaj theksoi të arriturat e përgjithshme të Republikës së Kosovës e në veçanti në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor. Zonja Reshitaj falënderoi kryeministrin vietnamez për ftesen për pjesëmarrje në Asamblenë e 6-të të GEF-it dhe deklaroi se është nevojë e kohës bashkëpunimi i mëtutjeshëm ndërinstitucional i të dy shteteve. Ajo ripërsëriti kërkesen e bërë nga Ministri i Punëve të Jashtme, z.Pacolli, për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Qeveria e Vietnamit, pasi kjo do t’i kontribuonte stabilitetit gjeopolitik të rajonit dhe do të hapte rrugën e bashkëpunimit në mes dy shteteve në fushën ekonomike, politike e mjedisore.

Falë angazhimit të Ministres Reshitaj dhe lobimit të vazhdueshëm të Ministrit Pacolli, Kosova ka arritur që për herë të parë të marrë pjesë në Asamblenë e Fondit Global të Mjedisit.

Ky është hapi i parë institucional në drejtim të konsolidimit të pjesëmarrjes të Kosovës në këtë Fond, i cili do të pasohet edhe me hapa të tjerë që do të kontribuojnë në përfitimin e projekteve milionëshe nga fusha e mjedisit, të munguara deri më tani. Zonja Reshitaj do t’i drejtohet shteteve anëtare me një fjalim rasti, ku në emër të Republikës së Kosovës, do të prezantojë të arriturat dhe sfidat e Kosovës në fushën e mjedisit dhe jo vetëm.