RAPORTO

veprime ilegale

Thellohet bashkëpunimi mes MMPH-së dhe Bankës Botërore për çështjen e ujërave

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot është takuar me menaxherin e zyrës për Kosovë dhe Maqedoni të Bankës Botërore, Marco Mantovanelli, specialistin për menaxhimin e burimeve ujore, TTL, Pieter Waalewijn, specialisten për menaxhimin e burimeve ujore, CO TTL, Trandelina Baraku.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore kanë diskutuar për bashkëpunim dhe investimet në sektorin e ujit në Kosovë.

“Kosova  në krahasim me vendet e rajonit, qëndron jo mirë në rezerva ujore. Ne duhet ta ndryshojmë këtë situatë. Gjithçka që është e nevojshme dhe kërkohet nga ne si MMPH, jemi të gatshëm ta bëjmë në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me implementimin e projekteve për rezervat ujore”, deklaroi ministri Matoshi.

Ministri Matoshi tregoi prioritet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  për ndërtimin e ujëmbledhësve në Kosovë.

“ Kremenata është njëri ndër vendet ku duhet të bëhet një ujëmbledhës. Po ashtu është edhe Dragaçina në Suharekë, por ka edhe opsione të tjera. Jemi të interesuar bashkë me ju që t’i përzgjedhim këto lokacione”, deklaroi Matoshi.

 

Ndërsa menaxheri i zyrës për Kosovë dhe Maqedoni i Bankës Botërore, Marco Mantovanelli, tha se janë në dijeni për nevojën e Kosovës për investime në fuqizimin dhe sigurimin e ujërave.

 

“Takimin e fundi të Bankës Botërore që e kemi pasur, ka qenë kërkesa zyrtare që të zhvillohet një qasje e integruar në sigurimin e ujërave dhe njëkohësisht për projektet e tjera që kanë të bëjnë me përkrahjen buxhetore dhe përkrahjen në politika. Andaj mendoj që prioriteti ynë i parë është të punojmë bashkërisht me ju dhe akterët e tjerë për t’i kuptuar prioritetet në sektorin e ujërave ”, deklaroi Mantovanelli.

 

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i  KRU-së “ Hidromorava”, Muhamed Suliqi tha se rajoni i Gjilanit, Kamenicës dhe Suharekës kanë probleme me kapacitetet e ujit dhe ndërtimi i digave, do ndihmojë banorët e kësaj ane në furnizim sa më të mirë.

 

“Pjesa e Gjilanit, Kamenicës por edhe Suhareka, kanë nevojë për rritjen e kapaciteteve ujore dhe me të vërtet po më vjen mirë që është ngritur çështja e Kremenatës dhe Dragaçinës për ndërtimin e një dige ku do të stabilizohet kjo zonë me ujë”, tha Suliqi.